Në rolin e përbindëshit shpëtimtar
Një krim që nuk shpjegohet me arsye: terroristi norvegjez Anders Behring Breivik vrau gati 100 njerëz. Ai mund të jetë edhe i çmendur, por akti i tij flet të kundërtën: këtu kemi të bëjmë me një person që vetëdijshëm i hakmerret shoqërisë liberale. Kështu krimi merr dimension politik. Masakra e tij duket të jetë një shpërthim i terrorizmit antimysliman. Breivik duket si antipod i nihilistëve dhe terroristëve pseudoislamikë dhe shembull se ku shpie politizimi i fesë dhe i kulturës
A mund të shpjegohet një ngjarje, të cilën nuk e përthekon as arsyeja e shëndoshë, as logjika njerëzore, as rrethanat politike botërore, sado të errëta qofshin ato? Në shikim të parë krimi masiv i Anders Behring Breivik në Norvegji duket i pakapshëm nga mendja e njeriut racional. Gati 100 njerëz të vrarë, kryesisht të rinj, të cilët po merrnin pjesë në një piknik politik të Partisë Socialdemokrate të Norvegjisë në ishullin Utoya. Bashkë me këto viktima të pafajshme numërohen edhe të vrarët në Oslo, të cilët u goditën së pari nga Anders Behring Breivik; pastaj ai mori rrugën drejt Utoyas. Shpjegimi më i lehtë është ky: Behring Breivik është i çmendur. Nuk është me rëndësi nëse atij i është lëshuar diagnoza përkatëse nga mjeku. Përballë pamjeve të masakrës përfundimi është ky: një i çmendur, i hallakatur në tru, ndoshta edhe i droguar, vret çfarë gjen përpara. Për motivet e kriminelit mund të spekulohet pa hesap. Në luftërat e fundit në Ballkan shpesh kemi parë se si rojtarë hotelesh, shoferë të fermave të pulave, kontabilistë dhe poetë të dështuar janë shndërruar në vrasës dhe përdhunues. Tipa të tillë luftën e shohin si rast të mirë për tu bërë padron të jetës dhe vdekjes. Kësodore ata, deri dje persona krejt të padukshëm në shoqëri, dalin në sipërfaqe, befas gjenden në qendër të vëmendjes së opinionit botëror, madje japin edhe intervista cinike për gazeta e televizione. Të dalldisur nga madhështia e rrejshme, të cilën e kanë arritur me armë, këta njerëz ushqejnë instinktet më të ulëta.
Terroristi antimysliman
Si qëndron puna me Anders Behring Breivik? Vetëkuptohet se pa një dalldisje mendore ai nuk do të kishte mundur të kryente këtë krim aq monstruoz. Por, çmenduria e supozuar e Breivikut nuk mjafton për të shpjeguar këtë ngjarje. Në bazë të informatave të deritanishme shihet se Breivik e kishte përgatitur sulmin me vetëdije me vite të tëra kundër një armiku, të cilin ai e kishte skicuar vetë. Në një vëllim prej 1500 faqesh ai kishte përmbledhur, sipas tij, të gjitha anomalitë e shoqërive moderne, liberale dhe të hapura perëndimore. Norvegjezin e pengonte ideja e shoqërisë multikulturore, e cila përpiqet ti integrojë të gjithë të ardhurit nga vendet tjera në një komunitet të barabartë me të drejta dhe obligime, por edhe me shanse të njëjta. Behring Breivik mendonte se Perëndimi dominohet nga politikanët majtistë, marksistë, komunistë, naivë, të cilët i kanë hapur dyert dhe portat për myslimanët e rrezikshëm dhe pushtues. Në sytë e terroristit norvegjez myslimanët infiltrohen në Perëndim me të vetmin qëllim: të shkatërrojnë krishterimin dhe kulturën oksidentale. Për të shmangur apokalipsin ai e përqafoi rolin e përbindëshit gjoja shpëtimtar. Daniel Poohl, kryeredaktor i gazetës antifashiste suedeze Expo, deklaroi se Breivik është terroristi i parë antimysliman. Për të shpërndarë ideologjinë e tij vrastare ai përdori intensivisht internetin, këtë hapësirë të ndritshme dhe të errët njëkohësisht, ku në thellësitë e anonimitetit gjejnë vend edhe figurat më të pështira njerëzore.
Doracakët pseudofetarë
Nëpër forume interneti të qarqeve ekstreme myslimane nuk fshihet satisfaksioni se, ja, edhe të krishterët kanë njerëz të degjeneruar në mesin e tyre. Madje të tillët nuk sulmojnë, ta zëmë, vendet arabe, por shoqërinë e tyre, bashkëqytetarët e tyre të pafajshëm. Ky lloj refleksioni popullist është tepër bajat për tu marrë seriozisht. Më i dobishëm për shpjegimin (dhe kurrsesi arsyetimin!) e krimit në dukje të pashpjegueshëm të Breivikut është shikimi retrospektiv. Më 11 shtator do të mbushen 10 vjet nga sulmet e rrjetit terrorist Al-Kaida në New York dhe Washington. Gjatë këtyre viteve rrjeti i njëjtë kriminal, i cili vret në emër të fesë islame, ka lënë gjurmë gjaku në Madrid, Londër dhe gjetiu nëpër botë. Prandaj, është e lejueshme pyetja: a do të shndërrohej Breivik në terrorist antimysliman sikur të mos kishte ndodhur 11 shtatori 2001? Gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung me të drejtë e krahason veprën prej 1500 faqesh të norvegjezit me një pamflet tjetër: Doracaku pseudokrishter i Breivikut në shumë paragrafë i përngjan një pamfleti pseudomysliman nga viti 1998, një teksti të vrasësit masiv Osama Bin Laden, ish-prijësit të Al-Kaidës. Aty theksohet se me urdhër të Allahut i njoftojmë të gjithë myslimanët për këtë fetfa (ekspertizë juridike islamike, v.j.): të vriten amerikanët dhe aleatët e tyre civilë dhe ushtarakë ky është obligim personal për secilin mysliman. Vrasësi masiv Bin Laden dhe vrasësi i dyshuar masiv Breivik përdornin nocione të njëjta. Historia e kryqëzatave duhej, nga perspektivat e ndryshme, të ofronte shkakun e njëjtë për një luftë mes kulturave. Së pari shkrimi dhe pastaj krimi e bëjnë terroristin norvegjez antipod të nihilistëve pseudoislamikë.
Ndonëse ende është herët për një analizë shteruese të ngjarjes në Norvegji, me gjasë Anders Behring Breivik është modeli i një fanatiku të krishterë, i cili për çdo gjë i bën përgjegjës myslimanët. Nuk janë vetëm qarqet ekstreme të djathta që e kanë shndërruar në sport stigmatizimin e të gjithë myslimanëve. Të frikësuar nga rreziku i sulmeve terroriste shumë politikanë në Evropë dhe Amerikë i shikojnë myslimanët me mosbesim të skajshëm. Kur politikanë me përgjegjësi të madhe për paqen thonë se ka vdekur ideja e multikulturalizmit, atëherë nuk është fare befasi që persona si Breivik këtë e shohin vetëm si dëshmi se sa e drejtë është lufta e tyre. Breivik si cak sulmi zgjodhi një grumbullim të të rinjve socialdemokratë norvegjezë. Dihet se socialdemokratët në pjesën më të madhe të Evropës janë ideologët kryesorë të bashkëjetesës me të huajt. Shpesh qasja e tyre ka qenë naive, për shembull kur kanë thënë se integrimi në shoqëritë perëndimore duhet të bëhet vetëm mbi baza vullnetare; me vite të tëra socialdemokratët nuk e kanë parë të arsyeshme të ndryshojnë këtë dogmë. Por, në thelb, ideja e bashkëjetesës paqësore mbetet një kontributi i rëndësishëm i të majtës evropiane. Kundër kësaj ideje u revoltua Breivik. Kundër kësaj ideje sot luftojnë djathtistë në shumë vende evropiane. Në kohëra krize mobilizimi kundër të huajve merr përmasa frikësuese. Në Austri, Zvicër, Holandë, Finlandë dhe gjetiu partitë djathtiste po korrin suksese të njëpasnjëshme, sepse po manipulojnë me frikën nga islami. Në këtë optikë islami dhe terrorizmi barazohen arbitrarisht. Breivik duket të jetë pjellë e kësaj atmosfere.
Klithje të këqija
Në punimin e tij prej 1500 faqesh Anders Behring Breivik e përmend Kosovën rreth 100 herë si shembull të ekspansionit mysliman. Duke shfrytëzuar burime të dyshimta dhe duke cituar autorë propagandistë serbë Breivik i skicon shqiptarët myslimanë si armiq të rrezikshëm të kulturës perëndimore. Në këtë kontekst ai përmend edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe politikanin shqiptar nga Maqedonia Fazli Veliun. Doracaku i Breivik mban këtë titull: 2083 Një deklaratë evropiane e pavarësisë. Numri i vitit i referohet vitit 1683, kur trupat osmane rrethuan Vjenën, por nuk arritën ta pushtojnë. Krimi i Breivik tregon sërish se ku të shpie keqpërdorimi i fesë dhe kulturës si dhe përpjekja për
