Rruga më e shkurtër për në BE
Pas paktit legjislativ të 2008-ës mes PS-së dhe PD-së, u arrit anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe dukej se ishte hapur edhe rruga për integrimin e saj në BE. Por pas zgjedhjeve të qershorit 2009, PS-ja e akuzoi PD-në se e shkeli paktin, kur nuk u mor parasysh kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të disa qendrave të numërimit në qarqet Berat, Tiranë dhe Shkodër. Dhe lufta politike që pasoi zgjedhjet e atëhershme e bllokoi për dy vjet rrugën drejt BE-së.
Në 14 maj 2011, kur 485 procesverbalet e numërimit të votave në Bashkinë e Tiranës, të firmosura nga të dyja palët, tregonin se fitues ishte Kryetari i PS-së me 10 vota diferencë, u duk se rruga drejt BE-së po rihapej. Por në 17 maj, KQZ-ja (e mbizotëruar nga përfaqësuesit e PD-së) filloi të numërojë vota të tjera, përtej 485 procesverbaleve të firmosura nga të dyja palët. Dhe në fund të atij procesi, fitues rezultoi kandidati i PD-së. Pas humbjes së betejës legale rreth ndryshimit të rezultatit në KQZ, PS-ja deklaroi se kryetarit të saj iu vodh fitorja në tavolinë dhe bëri të qartë se nuk do të bashkëpunojë me PD-në për integrimin në BE, në qoftë se PD-ja dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë nuk do ta pranojnë qartazi vjedhjen e mandatit të Tiranës. Me pak fjalë, rruga jonë për në BE duket përsëri e bllokuar – kushedi për sa kohë
Meqë sherret mes partive politike shqiptare kanë prirje për stërzgjatje, më ka shkuar mendja te një mënyrë shumë origjinale për anashkalimin e bllokimit që i bëjnë këto sherre rrugëtimit tonë drejt BE-së. Pas tre muajsh, në Shqipëri do të kryhet regjistrimi i popullsisë ose, siç u quajt me ligj kohët e fundit, censusi i popullsisë. Sipas planit të qeverisë, në pyetësorin e censusit do të përfshihet edhe një pyetje për përkatësinë etno-kulturore të qytetarëve. Bash kjo pyetje mund të jetë dhe çelësi ynë i artë për të hapur derën e Brukselit.
Në qoftë se të gjithë shqiptarët do të deklaronin se janë grekë, Greqia do të ndihej e detyruar të kërkonte përfshirjen në shtetin amë të këtyre 3.4 milionë grekëve homogjenë, të cilët historia i kishte lënë padrejtësisht jashtë kufijve të tij Dhe ja, magjia u krye; ne, shqiptarët, bëhemi automatikisht qytetarë të BE-së!
Kuptohet që, në këtë rast, bashkimi me Greqinë do të krijonte disa vështirësi politike. Për shembull, Berisha do të donte të ishte kryeministër i shtetit të ri të zgjeruar, por kjo s`do të pranohej kurrë nga grekët e tokës amë. Sidoqoftë, kjo vështirësi mund të kalohet me ndërmjetësinë e Genc Pollos, i cili duket si promotori kryesor i evidentimit të kombësisë së grekëve homogjenë në territorin e asaj që sot quhet Shqipëri. Ai mund të propozojë që ky territor të kthehet në një krahinë autonome brenda Greqisë, me Berishën si guvernator
Gjithashtu, bashkëngjitja në shtetin grek e territorit të asaj që sot quhet Shqipëri, do të krijonte edhe disa vështirësi financiare. Kjo, për faktin se Greqia po mbahet në këmbë vetëm falë ndihmës së BE-së dhe FMN-së. Sidoqoftë, duke patur parasysh se borxhi i shtetit shqiptar është vetëm sa 2% e paketës së ndihmës që iu dha së fundi Greqisë, mendja ta do se Genc Pollo do të arrijë t`u mbushë mendjen miqve të tij europianë që, tek iku qypi i vajit drejt Athinës, nuk është problem i madh të ikë edhe kokrra e ullirit drejt Tiranës
Por le ta lëmë mënjanë sarkazmën. Shqiptarët që mendojnë se Jeronim De Rada, Naim, Sami, Abdyl e Mit`hat Frashëri, Sulejman Vokshi, Petro Nini Luarasi, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe shumë e shumë burra të tjerë të shquar, nuk e kishin gabim kur bënë përpjekjet e tyre të pareshtura për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga synimet shoviniste të fqinjëve, kanë shansin që në tetor të këtij viti të bëjnë një akt patriotik. Dhe ky akt nuk kërkon sakrificat që bënë dikur paraardhësit e tyre.
Siç e përmenda më lart, pas tre muajsh, në Shqipëri do të kryhet censusi i popullsisë. Në qoftë se të gjithë shtetasit shqiptarë do ti përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë etno-kulturore, statistika e prodhuar nga përgjigjet e tyre do të konsiderohet e vlefshme statistikisht, ndërkohë që mund ta deformojë realitetin etnik të Shqipërisë. Kjo, sepse shumë shqiptarë mund të mendojnë se, po të deklarohen si grekë, do të kenë përfitime, pavarësisht se të dhënat zyrtare të tyre në gjendjen civile nuk do të ndryshojnë në bazë të përgjigjeve që do të japin për censusin. Dhe në qoftë se censusi tregon, për shembull, se në Shqipëri jetojnë 400.000 grekë, Greqia me plot gojën mund të kërkojë që shteti shqiptar të shndërrohet në një shtet dykombësh: greko-shqiptar.
Si ti dilet përpara kësaj të keqeje të mundshme? Meqenëse pyetja për përkatësinë etno-kulturore do të jetë opsionale në pyetësorin e censusit të tetorit, shqiptarët mund të zgjedhin të mos i përgjigjen. Dhe në qoftë se ata e bëjnë këtë gjë në masë, statistika e prodhuar nga përgjigjja e kësaj pyetjeje do të jetë praktikisht e pavlerë dhe nuk mund të publikohet. Në këtë mënyrë, çështja e dykombësisë së shtetit shqiptar, e ngritur qysh në vitin 1914, në Protokollin e Korfuzit, do të rimbyllet të paktën edhe për 10 vjet të tjera.
Po për integrimin europian, me të cilin e nisëm këtë shkrim, si do t`ia bëjmë? Për të, ndoshta duhet pritur gjatë
*respublica.al
