E Diel, 1 Nëntor 2026

Në seancën plenarë të 12 marsit Kuvendi do të amendojë ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë”

Kuvendi, në seancën plenare të 12 marsit, do të marrë në shqyrtim disa amendime në ligjin "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist", të propozuara nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati. Sipas burimeve nga Kuvendi, Konferenca e Kryetarëve vendosi dje me konsensus që në kalendarin trejavor të punimeve parlamentare për periudhën (3-23 mars) këto propozime të shqyrtohen në seancën plenare të 12 marsit. Drafti i paraqitur synon të plotësojë një vakum në ligjin aktual për disa kegori personash të persekutuar nga regjimi komunist dhe të dënuar nga ligjet speciale në vitet 1945-1946. P/ligji iu mundëson familjarëve të personave të dënuar apo të pushkatuar, që nuk kanë qënë të martuar, për të përfituar nga ky ligj. Duhet theksuar se këta familjarë, pavarësisht nga persekutimi i veçantë që kanë pësuar për këtë shkak dhe përkujdesja e posaçme për të afërmit e tyre të pamartuar, gjatë gjithë periudhës së persekucionit nga regjimi komunist, nuk kanë përfituar nga ligji i miratuar në vitin 2007. P/ligji i paraqitur për diskutim në komisionin parlamentar të Ligjeve rreth dy javë më parë, u mbështet nga të dyja palët, ndërkohë që përfaqësues  të Ministrisë së Financave shprehën rezerva lidhur me faturën financiare të tij. Sipas ekspertëve, zgjerimi i listës së përfituesve shton faturën financiare të këtij procesi, duke kërkuar një kosto suplementare në buxhetin e shtetit. Nga ana e tij, komisioni i Ligjeve kërkoi që nisma e paraqitur nga deputeti demokrat t’i dërgohej Ministrisë së Financave, e cila të shprehet për faturën financiare të draftit. Megjithatë, maxhoranca është shprehur e vendosur për kalimin e këtij projekti. Vetëm dy ditë më parë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një vizite në Shkodër, preku dhe  çështjen e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë, duke siguruar se ky proces do të nisë brenda pak ditësh. “Është një detyrim që ne e kemi pasur dhe një premtim që ne po e mbajmë. Në ditët e ardhshme fillon menjëherë shpërndarja e dëmshpërblimit për të persekutuarit e regjimit komunist. Paralelisht, në komisionin e Ligjeve ne do të kalojmë dhe një amendim të ligjit, duke i dhënë të drejtën e dëmshpërblimit dhe të pushkatuarve pa gjyq, si dhe familjarëve të të dënuarve që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikë apo të dënuar të tjerë”, deklaroi kryetarja Topalli. Në buxhetin e vitit 2009 janë parashikuar rreth 2 miliardë lekë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Sipas të dhënave zyrtare, në ministrinë e Drejtësisë deri më 19 Dhjetor 2008, janë paraqitur 17. 579 kërkesa për dëmshpërblim financiar, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen nga ky institucion. Ky dikaster ka përfunduar trajtimin për mbi 1.400 kërkesa, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, për të cilët do të  shpërndahet dëmshpërblimi financiar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›