Bien në prangat e policisë së Tiranës tre të dyshuar për trafik droge

Specialistët pranë Seksionit të Luftës Kundër Drogës arrestuan dje, pas një pune të mirëfilltë policore në flagrancë shtetasit Alfred Petref Musabelli, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Mirgen Stefan Shuke, 23 vjeç, lindur dhe banues në Rrugën "Budi" dhe Aldo Lulzim Shehaj, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kamëz. Burime të Policisë së Tiranës bënë të ditur se arrestimi u krye pas kontrollit të ushtruar nga strukturat e policisë në Qytetin Studenti, në lokalin në pronësi të shtetasve Petref Musabelli dhe Mirgen Shuke, pasi të 3 shtetasit u kapën në flagrancë në lokal me rreth 51 qese, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar të llojit canabis sativa. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Aldo Shehaj u gjet një armë e markës "Magnium", të cilën e mbante pa leje. Gjithashtu u lanë që të ndiqen në gjendje të lirë dy shtetas të tjerë: Petref Musabelli 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale të "organizimit të llotarive të palejuara" dhe "vënies në dispozicion të lokaleve për lojra të palejuara", si dhe Elton M, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i punësuar në këtë lokal, që akuzohet për veprën penale të "organizimit të llotarive të palejuara". Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 159 gr lëndë narkotike e dyshuar cannabis sattiva, një pistoletë e markës "Magnium" me mulli si dhe 75.430 lekë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkpunim", "përshtatja e lokalit për përdorim droge", dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve" në bashkëpunim.
...