Berisha deklaron në Fier se penalizimi i zyrtarëve të korruptuar është arritje pozitive

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në Fier, se "për herë të parë në historinë e këtij vendi po penalizohen zyrtarët e korruptuar të kësaj administrate dhe kjo është një gjë shumë pozitive". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kreu i Qeverisë mori pjesë sot në inaugurimin e dy veprave infrastrukturore në qytetin e Fierit, ku i'u përgjigj edhe interesimit të medias mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me ndërhyrjet e qeverisë në prokurori dhe gjyqësor. "Mediat thonë që ka ndërhyrje. Lexojeni raportin ashtu siç është. Media e kontrolluar nga Edi Rama thotë që është ndërhyrë dhe ju e kuptoni vetë se çfarë terrori ushtron ai mbi mediat", u shpreh Kryeministri Berisha. Por e vërteta, sipas Kryeministrit, "qëndron në faktin se kjo shënon periudhën e parë në historinë e këtij vendi që po penalizohen zyrtarë të korruptuar. Sigurisht po flihet mbi dosjet e sistemit të kleptokracisë dhe kjo është një gjë shumë e keqe, por po penalizohen zyrtarët e korruptuar të kësaj administrate dhe kjo është një gjë shumë e mirë", tha Kryeministri Berisha.
...