Në shtator, Qendër Transplantesh në Tiranë
Tiranë- Ashtu si në shumë vende të Evropës edhe në shqipëri të gjithë pacientët që kanë nevojë për transplante mund ta kenë këtë mundësi.
Gjatë muajit shtator në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do të ngrihet një Qendër kombëtare Transplantesh, falë bashkëpunimit me një qëndër të tillë në Itali.
Ministri i Shendetësie Petrit Vasili ka nënshkruar sot marrëveshjen me këtë Qendër dhe së shpejti mjekët e saj të japin eksperiencën e tyre edhe për mjekët shqiptarë.
“Eshtë një bashkëpunim zyrtar formal dhe që hap rrugë të madhe, jo vetëm për perfeksionimin e mekanizmave tona, por edhe i hap rrugën edhe formimit të grupit të ekipit të transplanteve, i cili mundëson zgjidhjen e këtij problemi për një kohë të gjatë dhe njëkohësisht u jep përgjigje edhe kërkesave jetike të pacientëve të caktuar, të cilët kanë nevojë për ndërhyrje të tilla, duke patur prioritet në radhë të parë transplantin e veshkave dhe në rrugë e sipër në vitet që do të pasojnë, duke formuluar edhe ambicje më të mëdha se kaq”,- tha Vasili.
Ndërsa mjekët italianë janë shprehur se kanë një përvojë disa vjeçare në transplantin e veshkave, dhe sipas tyre do të punohet me stafin shqiptar për ta përcjellë këtë përvojë.
“Ne jemi të nderuar që marrim pjesë në këtë marrëveshje me Ministrinë Shqiptare për punën e transplanteve për ta përforcuar transplantin midis donatorëve të vdekur dhe të gjallë. Jemi në fazën finale të ekzekutimit të një marrëveshjeje që ka filluar shumë më përpara dhe tani kemi vënë në vijë çdo punë dhe jemi në fillimin e vërtetë të saj. Do të punojmë shumë në formimin e stafit që do të merret me këtë projekt”, thotë mjeku italian Alessandro Nanni Costa.
Kjo nismë ka si qëllim edhe të ndihmojë ata persona të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë për transplantet në klinika private.