Në stacionin e shtatë të Arben Theodhosit

Piktori boton katalogun me punimet e dhjetë viteve të fundit. Janë 51 vepra në akrilik dhe vaj
E quan "Në stacionin e shtatë" se më këtë rast na bën edhe një prezantim të shtatë studiove ku ka shtegtuar. Piktori Arben Theodhosi dokumenton kështu në një katalog veprën e tij në vitet 2000-2010 dhe dëshiron t'ua shpërndajë amatorëve të pikturës.
Për Benin (kështu e quajnë të gjithë) mendoj se ai është më shumë një artist intelektual, se sa pasionant. Kjo do të ishte një mangësi nëse ai do të jetonte në mesjetë, por është një përparësi në kohët moderne.
Ai di ta kontrollojë pasionin.
Në shumicën e rasteve bashkon imazhe reale dhe abstrakte. Reale janë portrete apo nudo femrash, abstrakte janë sfondet. Bashkimi dhe shkrirja e tyre janë të vështira por Theodhosi arrin rezultat. Ai na thotë se abstraktja është reale, dhe realja shpesh është abstrakte, dhe se ato mund të bashkëjetojnë.
Në këtë operacion realja merr nota abstrakte dhe rrjedhjet abstrakte marrin nota reale.
Ai është alkimist i atmosferës dhe arrin perfeksion në detajin.
Një veçori tjetër e tij është se i pëlqejnë formatet katrore. Ai është artist i artit "të rregullt".
Shtrati i veprës së tij është si një gërryerje llave.