Një ditë në vit për të mbjellë pemë
DITA E TOKËS/ Në qytete të ndryshme të vendit është përkujtuar 40-vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Tokës, duke organizuar aktivitete të shumta, shumica të simbolizuara me mbjelljen e pemëve
Në Tiranë, fëmijë dhe të rinj kanë paraqitur çështje të ndryshme mjedisore në një sfilatë ekologjike
"Dita e Tokës" është një ditë e veçantë për t'i shprehur mirënjohjen tonë Planetit Tokë, i cili mbështet të gjitha format e jetës.
Nën këtë moto Bashkia e Tiranës organizoi dje në rrugën "Ismail Qemali", Paradën Mjedisore, "Kujdesu për Mua - Çdo ditë është dita e Tokës". Në këtë përvjetor të 40-të të "Ditës së Tokës", fëmijë e të rinj paraqitën çështje të ndryshme mjedisore që shqetësojnë Planetin Tokë gjatë një sfilate mjedisore të ndërtuar mbi bazën e materialeve dhe mbetjeve të riciklueshme, duke promovuar sjelljet pozitive ndaj mjedisit, si dhe duke përcjellë sfidat e të ardhmes për cilindo.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte dhe paraqitja e punimeve të fëmijëve, në kuadër të projektit CLEEN, si dhe Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve me nismën e tyre të fundit, atë të nxitjes së reagimit qytetar, në shërbim të ruajtjes së pastërtisë së mjedisit publik.
Kryebashkiaku Rama i pranishëm në aktivitet, vlerësoi ndërmarrjen e nismave të tilla, për të ndërgjegjesuar qytetarët mbi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kontributi i secilit në mbrojtjen e Tokës së përbashkët.
Kreu i Bashkisë vuri theksin në punën e Bashkisë së Tiranës, për një mjedis sa më të pastër e të mbrojtur, duke konsideruar kontributin e gjithsecilit në këtë drejtim. Aktiviteti u organizua me mbështetjen e disa bashkëpunëtorëve të rëndësishëm si, UNICEF, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta (Holandeze) dhe Qendra EDEN.
*************************
Durrës, nusja mbjell pemë
Kanë mbjellë një pemë duke i dhënë frymë kështu nismës "një jetë, një pemë". Një nuse e veshur me fustanin e bardhë dhe bashkëshorti i saj e kanë nisur kështu jetën e tyre familjare në një mënyrë krejt origjinale. Nën vështrimin e të gjithëve, nusja ka marrë një lopatë dhe ka hedhur dhe mbi fidanin në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Në fakt, në qytetin e Durrësit me nismën e bashkisë ka filluar puna dhe deri në muajin maj pritet të mbillen 1300 pemë të llojeve të ndryshme si bli, rrap, kumbull e kuqe, panjë etj. Në këtë ditë në mbjelljen e pemëve në lagjen 18 me kryetarin e bashkisë Vangjush Dako u bashkua edhe një çift të sapomartuarish që së bashku mbollën simbolikisht një pemë.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Dako deklaroi se gjelbërimi është një përparësi e Bashkisë së Durrësit: "Një nga përparësitë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër.
Edhe ky vit do të vazhdojë të jetë vit i gjelbërimit të rrugëve dhe lulishteve". Në këtë ditë me nismën e bashkisë është bashkuar edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim ku të rinjtë e kësaj partie mbollën disa palma në shëtitoren "Taulantia". Në këtë ceremoni me nismën e bashkisë u bashkua edhe kreu i qarkut të Durrësit Seid Kërtusha.
***************************
Lezhë, Dita e Tokës e gjen djerrë e të përmbytur
LEZHË - Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill në vitin 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demostratën mjedisore nga më spektakolaret, që u quajt "Dita e Tokës". Në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Tokës ka filluar të celebrohet që prej vitit 2002. Në qarkun e Lezhës kjo ditë e ka gjetur tokën jo në gjendjen e duhur për shkak të kushteve atmosferike dhe natyrore, por edhe atyre ekonomike.
Reshjet e pandërprera që nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar dhe deri më sot kanë përmbytur sipërfaqe të tëra toke në Lezhë dhe Kurbin, duke dëmtuar kulturat bujqësore, por edhe pjellorinë e tyre. Ndërsa në Mirditë po merr gjithnjë e më tepër përmasa të mëdha fenomeni i erozionit duke gllabëruar dhjetëra hektarë në zonat malore dhe kondrinore.
Në të gjithë qarkun, sipërfaqe të mëdha toke vazhdojnë të mbeten djerr, jo vetëm për shkak të kushteve atmosferike, që nuk kanë favorizuar kryerjen e punimeve dhe mbjelljen e kulturave bujqësore, por edhe për shkak të çmimeve të larta të kryerjes së punimeve dhe farërave e fidanëve.
Dita Ndërkombëtare e Tokës këtë vit duhet të kishte qenë më tepër në qendër të vëmendjes së të gjitha autoriteteve duke parë se sa po degradon toka si në zonat fushore edhe në ato kodrinore dhe malore. Në Lezhë, të vetmit që kujtohen për të përkujtuar këtë ditë duke përcjellë mesazhe sensibilizuese janë nxënësit e shkollave. Shkolla 9-vjecare "Gjergj Fishta" ka kurorëzuar veprimtarinë njëjavore në shërbim të Tokës.
Nxënësit dhe mësuesit gjatë gjithë këtyre ditëve janë marrë me ambientin përreth duke punuar dhe mbjellë sipërfaqet e gjelbërta. Kjo nismë e këtyre nxënësve le të shërbejë si një apel për të gjithë institucionet dhe instancat në qarkun e Lezhës për t'i kushtuar më tepër vëmendje dhe rëndësi tokës dhe menaxhimit të saj.
*****************************
Mirditë, nxënësit pastrojnë mjedisin e shkollave
MIRDITË - Apelit për kujdes ndaj tokës ku jetojmë, i janë përgjigjur në mënyrë shumë origjinale nxënësit e shkollës së mesme Rrëshen, nën drejtimin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes, falë një projekti enkas për këtë ditë. Që në orët e para të mëngjesit nxënësit e kësaj shkolle dhe mësuesit e tyre filluan aksionin për pastrimin rrënjësor të mjediset të shkollës, si dhe mbjelljen e pemëve, vendosjen e stolave dhe koshave për hedhjen e mbeturinave.
I gjithë ky aksion masiv shoqërohej këndshëm me muzikë kryesisht këngë që i kushtohen mirëmbajtjes së mjedisit nga rryma të ndryshme muzikore. Nxënësit pastruan gjithë territorin e shkollës, mbollën dhjetëra pemë në këtë territor si dhe krijuan kushte komode për qëndrimin në kohën e lirë në këto mjedise, ndërkohë që janë ndihmuar dhe nga Bashkia Rrëshen dhe kompania e gjelbërimit në këtë bashki
************************
Shkodër, ulet sipërfaqja e tokave nën ujë
SHKODËR - Pushimi i reshjeve dhe ulja e shkarkimeve nga portat e hidrocentraleve ka sjellë dhe ulje të sipërfaqes nën ujë të përmbytur në zonën e Nënshkodrës. Të enjten sipërfaqja e tokës nën ujë ka pësuar zbritje me rreth 300 ha dhe aktualisht janë 1300 ha tokë nën ujë. Në komunën Ana e Malit, janë rreth 600 ha tokë nën ujë, ndërsa nuk ka prezencë uji brenda shtëpive.
Banorët e Obotit në komunën Ana e Malit shprehen se fajtor për gjithçka është shteti. Dëmet janë të shumta në këtë fshat dhe banorët thonë se nuk kanë besim më tek shteti pasi kanë mbjellë menjëherë pas largimit të ujit dhe mbyten përsëri. "Kam 70 000 lekë të reja që i kam investuar dhe tani mbaroi gjithçka për tri ditë që u lëshua uji. Menduam se pasi ndenjëm dy muaj nën ujë, nuk do të përmbyteshim më.
Nuk di ku t'i çoj delet e qengjat se nuk kam me çfarë t'i ushqej pasi e mori uji prodhimin", thotë një banor i Obotit. Aktualisht ky fshat është pa ujë të pijshëm pasi ujësjellësi është stakuar. Në Dajç e Berdicë ka pakësim të ujit dhe rruga është e kalueshme, edhe pse në segmente të saj ka prani të ujit. Rreth 200 m rrugë që lidh Obotin me rrugën kryesore është e mbuluar nga uji dhe atje mund të kalohet vetëm me kamionë.
************************
KMSH emëron myftiun e ri të Shkodrës
SHKODËR - Komuniteti Mysliman Shqiptar ka bërë sërish ndryshime në kreun e Myftinisë Shkodër. Në paraditen e së enjtes është emëruar myftiu i ri, Muhamet Sytari. Ai është prezantuar nga kryetari i këshillit të KMSH-së IlirVokshi.
Prezantimi i Sytarit në krye të myftinisë së Shkodrës është shoqëruar dhe me sqarimin e vendimit të marrë nga KMSH-ja e cila kishte emëruar në këtë detyrë imamin Ermal Nurja. Ky kërkoi dorëheqjen pa e marrë në dorëzim fare postin, pasi këto dorëzime nuk u bënë nga myftiu i mëparshëm Ndriçim Sulejmani, i cili nuk pranon lënien e detyrës pa dhënë një vendim gjykata për shkarkimin e tij.
Ermal Nurja dha dorëheqjen pa e ushtruar fare detyrën dhe mësohet se dorëheqja e tij nuk është pranuar nga KMSH-ja, por ky institucion ka bërë shkarkimin e Nures me motivacionin e "mosparaqitjes në detyrë".
Myftiu i sapoemëruar, Muhamet Sytari, njihet si një ndër figurat kryesore të komunitetit mysliman në Shkodër, teolog dhe hartues tekstesh në këtë fushë. Kohët e fundit Sytari ka qenë kritik ndaj disa mosveprimeve e indiferencave të myftinisë Shkodër. Ish-myftiu Ndriçim Sulejmani e ka quajtur të turpshëm vendimin për emërimin e Sytarit në krye të myftinisë Shkodër. A.Dushi