Në takim e ardhshëm në Bruksel: simbolet, telekomi dhe energji

Takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, që pritet të mbahet më 8 shtator në Bruksel, është paralajmëruar se mund të sjellë përparime konkrete në temat që kanë të bëjnë me telekomunikacionin dhe harmonizimin e çështjeve kontestuese rreth daljes së serbeve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur besimin e tij se në takimin e 8 shtatorit në Bruksel do të arrihen marrëveshje jo vetëm për telekomunikacionin por edhe temën tjetër, të cilësuar si më problematike në dialog, atë për energjinë.
Kurse ka paralajmëruar edhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve në lidhje me përdorimin e simboleve të shtetit të Kosovës në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Beogradi insiston që për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, fletëvotimet duhet të mos përmbajnë ndonjë simbol të shtetit të Kosovës, përderisa Thaçi mendon se kjo punë i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Kemi pajtueshmëri politike me gjithë spektrin politik që jemi takuar dhe kemi biseduar. Do të thotë do të jetë një zgjidhje kushtetuese e ligjore”, ka thënë Thaçi, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Paraprakisht ai kishte paralajmëruar që kjo zgjidhje mund të mos jetë shumë atraktive politikisht, por e pranueshme për të gjithë.
Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq u ka thënë medieve në Beograd se neutraliteti i Marrëveshjes së 19 prillit, do të jetë i domosdoshëm për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale.
Ndërkaq nga ana e tij, ai është shprehur i gatshëm të zbatojë marrëveshjen me Prishtinën.
“Jemi të përcaktuar fuqishëm për paqe e stabilitet në rajon, përfshi edhe zbatimin e Marrëveshjes me Prishtinën të arritur në Bruksel”, ka thënë Daçiq, ndërsa ka komentuar rrugëtimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Takimi i radhës Thaçi – Daçiq në Bruksel zhvillohet në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po kërkon një qartësi të palëve në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale dhe pjesëmarrjen e serbëve, sidomos atyre të komunave veriore.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një komunikate me shkrim ka inkurajuar KQZ-në që të gjejë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të ligjshme dhe të pranueshme për të gjithë.