Nuk i mjafton kredibiliteti për të paditur ish të dashurën

Kredibiliteti i munguar i ish-ambasadorit të Maqedonisë në Australi, Pero Stojanovski, është arsyeja që Gjykata Supreme australiane ka rrëzuar padinë e tij kundër ish të dashurës, Lidija Dumbaloska.
Ish-ambasadori padiste të dashurën e tij të mëparshme, me pretendimin se ajo i kishte i kërkuar atij shumën prej 150 mijë dollarësh, sepse në të kundërtën do të bënte publike përmbajtjet e laptopit të tij personal.
Por, Gjykata Supreme ka vendosur të rrëzojë padinë, pasi ka vlerësuar se disa deklarata të mëpastajme kishin rrënuar kredibilitetin e paditësit, dhe kësisoj, edhe besueshmërinë e pretendimeve të tij.
Përkundër këtij vendimi të Gjykatës Supreme, dashnorja “rebele” do të përgjigjet penalisht për veprën “vjedhje”, pasi dyshohet se i ka marrë vjedhurisht nga banesa ish të dashurit, laptopin dhe disa sende personale.
Ngjarja që përbalti autoritetin e ambasadorit të atëhershëm në Australi, ndodhi vitin e kaluar, dhe mori dhenë në të gjitha mediat australiane. /Indeksonline/