Porti i Durrësit shton volumin e përpunimit të mallrave

Porti i Durrësit, porti më i madh në Shqipëri ka shtuar volumin e përpunimit të mallrave. Gjatë muajve janar-korrik të këtij viti janë përpunuar më shumë se 2 milion ton mallra. Sipas Autoritetit Portual tashmë ky port funksionin si një kompleks portual me 6 terminale, duke përfshirë edhe dy terminalet e hidrokarbureve dhe mallrave rifuxho në Porto Romano.
Sipas Pirro Vengut drejtor i përgjithshëm ekzekutiv APD, ka një rritje prej 10 për qind të numrit të pasagjerëve dhe një rritje të volumit të përpunimit të mallrave prej 6 për qind.
Aktualisht porti është në limitet e përpunimit të kontenjerëve, në 95 përqind të kapaciteteve. Drejtori Vengu thotë se shtimi i volumeve në mallra dhe pasagjerë kërkon krijimin e lehtësive të tjera, me sipërfaqe të reja logjistike në tokë. Sipas tij synohet të ketë jo vetëm veprimtari ngarkim – shkarkimi, por edhe veprimtari prodhuese brenda portit.
Këtë vit Porti i Durrësit është vizituar nga 257 jahte të përmasave të ndryshme si dhe 21 kroçera turistike , duke u kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik për turistë nga vende të ndryshme të Evropës dhe të botës.
Drejtor i përgjithshëm ekzekutiv APD Pirro Vengu thotë se fluksi në rritje i vizitorëve të huaj, kërkon ndërtimin e një porti të mirëfilltë turistik.
Gazetare Albana Agolli
/ rtsh.al /