E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në thep të pushkës, jo vetëm doraci

Gjergj Marku

Duket si e motkaluar nëse e përmend Kanunin sot kur ngjet një vrasje. Por në fakt, në çdo vrasje, matrikulohet ndonjë nyje e Kanunit, por jo atij të moçmit, por këtij të sotmit, Kanunit të veshur me xhinse. Kjo sepse nëse sherret nisin dhe bitisin pa Kanu në vrasje, gjakmarrja i mbështetet idesë kanunore: më vrave, të vras!

Natyrisht në një vend ku ligji nuk funksionin normalisht, ku disa gjykatës janë deri në fyt të korruptuara dhe ku vrasja blihet e shitet, mendja e njeriut të thjeshte punon për kah vetëgjyqësia.

Më ka rënë të dëgjoj plot raste, kur vrastarët kanë bërë disa muaj burg dhe janë lënë të lirë, të pandëshkuar nga shteti. Dhe natyrisht disa prej tyre kanë rënë në pritë të individëve të dëmtuar. Kjo e ka rritur ndjeshëm më pastaj spiralen e gjakmarrjes, sa në ndonjë rast është ndalur vetëm në meshkujt e fundit të familjeve në konflikt, të cilat rrezikoheshin të shuheshin.
Por nëse i rrimë linjës së Kanunit, është krejt e patolerueshme, që aty ku zbatohet me përligjje vetëgjyqësie, ai zbatohet në mënyrë tërësisht të deformuar. Tash e 22 vite kjo mesele ka hapur pashtershëm vatra gjaku sa në veri të vendit ashtu edhe në jug.

Kanuni me xhinse dhe kallashnikovë, duket se gërgaset në nyje të paqena të tij, falë mosnjohjes nga të rinjtë dhe nxitjes se ethshme në odat e errëta të darkave të vona, nga të moshuar me një këmbë në varr.

Pleqtë e urtë të familjeve tradicionale gjithnjë kanë menduar për ardhmërinë e brezit, ndërsa disa nga të sotmit, duket se ju intereson vetëm të ikin të çliruar shpirtërisht për në jetën e përtejme, kur djali apo nipi e ka marrë gjakun duke vënë në vend yrzin e humbur.
Nuk ka mënxyrë më të madhe se të lësh fëmijët në gjak. Nuk thuhet më kot: nuk je në prishaqejf a gjak me kënd, ke boll pasuri. Por puna më e ndyrë që i bie ndesh tërësisht Kanunit është kur piketohet për tu vrarë tej doracit, mjafton të jetë një pjesëtar i familjes apo i afërm dhe kështu kalohet në ngujim kolektiv. Kaq të padurueshëm e me gjak në sy tregohen disa persona, sa nuk pyesin nëse po qëllojnë mbi fëmijë apo gra, mjafton që kallashnikovi të sharrojë çfarë tu kapë rrezja e zjarrit. Penalitetet në Kodin respektiv janë shtuar ndjeshëm për gjakmarrjen, por sërish gjykatësit notojnë në evazivitet, duke u bërë gërgasit ligjorë të konvejerit pafund të gjakmarrjeve. Ndaj është e nevojshme të ketë gjëra të përcaktuara fort ligjërisht, pa krijuar asnjë ekuivok ligjor, për të qene sidomos të ashpër ndaj kanunorëve me xhinse e kallashnikovë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›