E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Berisha i dashuruar me pushtetin, po vë në rrezik fatin e Shqipërisë

Sali Berisha - Fatos Nano

Fatos Nano për herë të parë që pas largimit nga Partia Socialiste ka kritikuar kryeministrin Sali Berisha. Deri tani ishim mësuar me kritikat e tij në drejtim të liderit të opozitës por mesa duket shfrytëzimi i kandidaturës së vetëshpallur të tij nga ana e kreut të PD-së ka bërë që Nano të mbajë këtë pozicionim.

Shpreh zhgënjimin e tij të thellë për sjelljen e reagimin e liderit të shumicës qeverisëse Sali Berisha, i cili nuk ia doli dot që të shkëputet nga marifetet dhe llogaritë e ngushta partiake apo brenda koalicionit. Sali Berisha nuk ia doli dot mbanë që të sillet, flasë e veprojë si shtetar. Sali Berisha dëshmoi se dashuria e tij për pushtetin e tejkalon dashurinë e tij për shtetin, dashuria e tij për partinë e tejkalon dashurinë e tij për kombin, dashuria e tij për koalicionin e tejkalon dashurinë e tij për integrimin europian dhe partnerët tanë euroatlantikë, thuhet në një komunitatë të shpërndarë për mediet.

Nano e akuzon kreun e qeverisë se po dëshmon papërgjegjshmëri totale ndërsa ka rënë në nivelet meskine të lojërave të pushtetit dhe si partiak i devotshëm çmontoi e po çmonton, vendosi dhe po vendos në rrezik tejet serioz të gjitha shanset e Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm, e të shëndetshëm, për integrimin europian dhe për partneritet dinjitoz euroatlantik.

Ish-kryeminist thekson se Berisha është i paaftë për të udhëhequr Shqipërinë në proceset e mëtejshme integruese dhe zhvilluese. Berisha është përgjegjës i padiskutueshëm në këtë krizë fatale ku ka hyrë Shqipëria me procesin e zgjedhjes së Presidentit, ku numrat mund të bëhen për ta zgjedhur një President sipas Ligjit e Kushtetutës, por morali e vlerat janë zhbërë për të pasur një President sipas kërkesave, parimeve e vlerave Euroatlantike, thuhet në komunikatën e Nanos. Ajo mbyllet me fjalët se së bashku ta gjejmë forcën dhe mënyrën që ta ndryshojmë këtë realitet të trishtë duke dhënë kështu sinjalin e parë për një afrim me Ramën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›