E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, trashëgojmë



Monumentet e trashëgimisë kulturore po marrin një tjetër pamje. Një pjesë e mirë prej tyre u janë nënshtruar ndërhyrjeve restauruese tani, sa nuk është vonë. Harta gjeografike e shpërndarjes së investimeve nga Ministria e Kulturës ka prekur për këtë vit fillimisht ato monumente kulturore për të cilat emergjenca e ndërhyrjes është parë më e nevojshme. Ndonëse sezoni turistik tashmë është çelur në të gjithë Shqipërinë e shumë vizitorë dallohen teksa vijnë e shkojnë, punimet në këto monumente vijojnë me të njëjtin ritëm. Sipas drejtorit të Trashëgimisë Kombëtare në Ministrinë e Kulturës, Ols Lafe, aktualisht, ndërhyrjet restauruese janë përqendruar kryesisht në Gjirokastër, në Korçë, në banesën e piktorit Vangjush Mio në po të njëjtin qytet, në Berat, më konkretisht në zonën Kala, Mangalem dhe në të gjithë kompleksin e tij, si dhe në lagjen Gorricë. Investimet kanë shkuar edhe në zonën e veriut, ku për momentin po kryhen punime në pjesën e jashtme të prefekturës së Shkodrës e më gjerë. “Investimet në fushën e trashëgimisë për vitin 2009 kanë një rritje, krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo është tashmë e dukshme. Fondi total këtë vit që po përdoret në monumentet e trashëgimisë për investime arrin në shifrën rreth 170 milionë lekë të reja”, - shprehet drejtori Lafe, i cili përmend të gjitha investimet aktuale në monumentet e kulturës në vend. Ai thotë se në hartën e këtyre projekteve, si rastet më emergjente janë banesa e piktorit Vangjush Mio në Korçë, pranë katedrales së këtij qyteti, në të cilën përfshihen qindra piktura me vlerë të lartë artistike. “Është parë e nevojshme që ajo t’u nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe në këtë mënyrë ne arrijmë të ruajmë jo vetëm vlerat e banesës si monument kulture, por edhe ato vlera që ndodhen brenda, pra pikturat e tij. Me pak fjalë, synimi i institucioneve në varësi të ministrisë në trashëgiminë kulturore, ka qenë pikërisht ruajtja e veprave të shumanshme e jo vetëm arkitektonike, por edhe artistike për atë që mbart kjo banesë”, - thotë specialisti pranë MTKRS-së, i cili tregon se vlera e akorduar për këtë projekt rrumbullakos shifrën prej rreth katër milionë lekësh të reja. Një tjetër vend, ku po punohet aktualisht, është edhe qyteti i Beratit, i cili vitin e kaluar është pranuar në UNESCO si hyrja më e freskët në listën e trashëgimisë botërore. Sipas Lafes, ky është një qytet i cili ruhet relativisht mirë në sensin e trashëgimisë arkitektonike të tij, por sigurisht edhe të vlerave të tij artistike. Ai vijon duke thënë se puna në Berat po përqendrohet në fortifikimin e kalasë, për ta restauruar dhe konsoliduar. Po ashtu, investimet janë përfshirë edhe në brendësi të lagjes Kala, në Mangalem dhe në të gjithë kompleksin e tij, si dhe në lagjen Gorricë ku i gjithë rrjeti rrugor dhe kalldrëmi i saj do t’u nënshtrohen ndërhyrjeve të këtij viti. Kostoja e këtij projekti shënon vlerën e rreth 105 milionë lekëve të vjetra.

Veç këtyre zonave, është Gjirokastra ajo që ka mbetur në fokusin e investimeve të kësaj ministrie. Sipas drejtorit të Trashëgimisë Kombëtare brenda pak muajsh do të përfundojë restaurimi i një liste të gjatë banesash me paratë e qeverisë shqiptare akorduar nga UNESCO sipas procedurave ndërkombëtare. “Është një listë e gjatë me shumë godina që ndodhen në qendër të pazarit karakteristik, por edhe monumente të tjera kulture të kategorisë së parë në qendrën historike të Gjirokastrës ku do të investohet”, - pohon Lafe. Sipas tij, mbi 95 për qind të banesave Gurgaj janë pothuajse të restauruara dhe të finalizuara si projekte, që ndodhen pranë Zagorisë. “Ky është një investim, i cili ka filluar rreth dy vite më parë nga Ministria e Kulturës. Pra, po plotësohet një mozaik shumë i rëndësishëm i restaurimit të banesave në qendrën historike, duke risjellë gjallëri, duke eliminuar rrezikshmërinë e disa banesave të rëndësishme në mënyrë që qytetarët, nxënësit dhe banorët në përgjithësi të përdorin qendrën historike sa herë që të duan dhe të kenë një akses më të lirshëm”, - thotë ai. Restaurimet në Gjirokastër po vazhdojnë dhe nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës së këtij qyteti me një fond prej 17.5 milionë lekësh të reja, i cili, sipas drejtorit Lafe po shfrytëzohet për hidroizolimin e galerisë kryesore të kalasë së qytetit të gurtë. Kjo galeri ka një ekspozim të dukshëm ndaj natyrës dhe ujërat e shiut pavarësisht hidroizolimeve që janë bërë në këtë kala, prej shumë kohësh, sjellin depërtimin e ujërave në brendësi të saj dhe probleme në linjat elektrike. “Depërtimi i ujit, sigurisht që nuk bëhet brenda një dite. Kalojnë shumë vite kur pas njëfarë kohe ato japin edhe shenjat e para të dëmtimit. Pikërisht ky projekt ka mundësuar financimin për të eliminuar ujërat që hyjnë në galeri. Synimi ynë nuk është vetëm ky eliminim, por që kjo galeri të shndërrohet në një vend akoma edhe më të kënaqshëm për t’u vizituar. Ne duam që ajo të jetë më e pastër dhe pa lagështirë, por gjithashtu duke e siguruar edhe qëndrueshmërinë e monumentit e në të njëjtën kohë duke krijuar edhe kushte brenda muzeut që ndodhet brenda kalasë”, - shprehet Ols Lafe.

Edhe në veri të vendit po punohet në monumente të kulturës, kryesisht në prefekturën e Shkodrës. Sipas Lafes, është hallka e dytë dhe e fundit e mbylljes së këtij projekti, i cili ka konsistuar në rehabilitimin dhe restaurimin e godinave sa i përket pamjes së tyre të jashtme. Ai thekson se në vijim të punës që po kryhet jo vetëm të kësaj ministrie, duke qenë se trashëgimia është një nocion shumë i gjerë, përfshihen disa dhjetëra projekte arkeologjike, të cilat po zhvillohen aktualisht në territorin shqiptar. Ato janë miratuar të gjitha nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë që është i vendosur pranë kësaj ministrie, krijuar vitin e kaluar si një këshill që miraton jo thjesht në parim projektet arkeologjike, por edhe vizionin që këto projekte kanë për t’i kthyer dhe për t’i pasur këto qendra arkeologjike në vende të vizitueshme në çdo kohë nga turistët. Kështu, në teatrin e Adrianopolis, sipas drejtorit Lafe, po zhvillohet një ekspeditë shkencore italo-shqiptare për të nxjerrë më në pah vlerat kulturore të rajonit, që do të ndiqet nga gërmime dhe sondazhe të mëtejshme gjatë muajve korrik dhe gusht. E pavarësisht sezonit turistik, specialisti i trashëgimisë kulturore na bën me dije se këto lloj punimesh ndikojnë shumë pozitivisht në sy të të huajve. Për këtë ai thotë: “Vizitorët kanë mundësinë që të shikojnë edhe punën konkrete që kryhet në këto zona. Duke njohur edhe sensin e shumë vizitorëve me shumë eksperiencë që vijnë në Shqipëri, puna që shikojnë gjatë vizitave të tyre nuk i pengon. Përkundrazi, ato zgjerojnë njohuritë, pasi hyjnë në kontakt me arkeologët gjatë punës së tyre. Kjo është një shenjë shumë pozitive”. Këtë fakt ai na e ilustron me rastin e gërmimeve që po kryhen në Apoloni, i njohur si një projekt shqiptaro-francez. Ai thotë se janë me dhjetëra turistë, të cilët ndalojnë pranë vendeve të gërmimit dhe kurioziteti i tyre shtohet akoma edhe më shumë, sepse nuk mësojnë thjesht për historinë e qytetit të lashtë apo për vlerat që ai ka, por edhe për punën konkrete që kryhet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›