E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vallen e kryeqytetit

Petro Marko

Tirana, shembull i jetesës sonë shoqërore. Si rron njerëzia: ku ha, ku dëfren, ku shkon. Si fitohet dhe si prishet paraja. Çmimet e sendeve të para. Vëzhgime të përgjithëshme mbi mënyrën e rrojtjes sonë.

* * *

Beqar apo familjar?

- Meshkuj! Kudo meshkuj! Tirana është mashkullore!

- Apo sështë kështu?

- Ku janë gratë?

- Në shtëpi? Të burgosura? Të skllavëruara? Të sëmura? Të dënuara?

- Apo gjithë burrat që të ze syri nëpër rrugët e mbushura të kryeqytetit janë beqarë?

- Kjo sështë e vërtetë, se në çdo kënd të çdo ndërtese sheh edhe nga katër a pesë çilimij…

- Atëhere pse nuk dalin edhe femrat të marrin erë të lirë, të shikojnë dynja, të lëvizin, të zbukurojnë rrugët mashkullore të Tiranës?

- Fajin e kanë vetë burrat. Kushedi! Mbase përtojnë, se kanë zakon që të dalin një ose dy herë në javë me bashkëshortët e tyre, me motrat dhe bijat e tyre në bulevardet aq të bukura, që gjelbërojnë prej pemëve të shumta, që rëndohen prej këpucëve të forta të ushtarakëve dhe që ankohen se nuk janë shkelur prej takave të lehta të femrës.

Dëgjoni këmbanën e re që ju shurdhon:

«Po këputen hekurat e skllavërisë për femrën. Dilni përjashta o gra shqiptare dhe merrni pjesë siç e meritoni në shoqërinë e porsapërgatitur të kombit tonë! Ferexheja ra përgjithmonë! Çprisni më, ndonjë urdhër që tju nxjerrin me zor nga shtëpia?»

- Po le ta themi copë se faji është i burrave. Doemos i atyre që kanë familje. Se beqarët çtë nxjerrin përjashta?

- Sytë e tyre? Ata sy që u thanë duke u vërtitur kot andej-këndej për të parë ndonjë… lanete?

* * *

Po familjarët si rrojnë?

Duke udhëtuar në kryeqytet sheh shtëpi, shtëpi shumë të përhapura, të rrethuara me mure, kanë oborr, kanë puse, kopshtija, furiqe. Tamam si në fshat. Se brenda jetojnë qytetarë-fshatarë.

Familjarë që kanë ardhur nga tërë vendet e atdheut, të shpërndarë në të katër anët e kryeqytetit të gjerë. Të trazuar rrush e kumbull. Sheh në një lagje, në një rrugë afëreafër dibranë, shkodranë, vlonjatë, gjirokastritë, korçarë. Përveç jevgëve që kanë zënë ekstremet e Tiranës dhe që rrinë të grumbulluar që defi i tyre të dëgjohet prej të gjithëve.

Dhe kështu brenda në këto familje, kudo, në çdo vatër, zbatohen ligjet dhe kanunet e zakoneve dhe traditave të trashëguara prej vendlindjes. Ndryshimi është vetëm në veshje, e cila pakngapak po evropianizohet.

Po shpirti? Po jeta?

Mbetet gjithnjë e ngatërruar dhe e shastisur përpara ligjeve të saj të reja, përpara nevojave që shtohen dita-ditës. Përpara jetës së re, e cila në vend që të lindej nga gjiri ynë dhe ta drejtonim nga të donim, erdhi befas e na zuri, duke na vërtitur herë andej e herë këtej, në një mënyrë që na bën të humbasim toruan dhe të bërtasim:

“Si jetojmë?”

Si jetojmë!

- Po, si jetojmë?

- Akull i ftohtë!

- Salep i nxehtë!

- Bozë e mirë!

- Pasta, gurabie!

- Paketa cigare, zotërinj!

Përveç këtyre thirrjeve që dëgjohen dimër e verë nëpër rrugët e kryeqytetit, a ndihet ndonjë zë tjetër, që të përmendë ndonjë send ushqimi ose veshjeje?

- Qumësht i ëmbël!

- Kos taze!

Dhe asgjë më tepër!

Ku janë, p.sh., karrocat e vogla të pemëshitësve? Ku janë barishtet e njoma dhe të ndryshme që mëngjes për mëngjes të blihen prej zonjave nikoqire? Se sa lehtësi është kur e di që dita-ditës shkon te dera e shtëpisë bahçevani me zarzavatet e tij të pastra? Apo neve sna pëlqejnë barishtet, përveç preshve që me tonelata vihen stivë-stivë në tregun e ri dhe të vjetër të Tiranës? Ah, mor presh i bekuar! Megjithëse ti djeg, prapë ti je i nevojshëm, je i vlefshëm, se kushedi se sa barqe mbush ditë për ditë.

Mishi i lirë.

Vezët shumë të lira.

Gjalpi i lirë.

Djathi i lirë. Gjiza e lirë.

Po vaji? Po ulliri? Po vera? Po rakia? Këto megjithëse bëhen me shumicë në vendin tonë, i blejmë shtrenjtë, se tregtarët tanë të mëdhenj preferojnë ti shesin në shtete të huaja me çmime shumë-shumë të ulta nga ato që janë në tregun e këtushmë. Kështu e kemi ne: një gjë që e shesim lirë, vjen dita që plaçkën tonë të shitur jashtë, e blejmë shumë shtrenjtë. Mu kujtua misri i shkretë. Kur e kemi e shkelmojmë, duke e shitur pothuaj badjava. Pastaj? Eh, pastaj e kërkojmë me 15-20 fr. ari kuintalin, siç po ndodh tani dhe nuk e gjejmë kollaj. Po çmu desh mua me misërin? Ah, jam shumë larg problemit të tij.

Si rron kjo klasë nëpunësore e Tiranës, kjo pjesë e lumtur e popullatës sonë? Para merr! Mendje ka! Shije ka! Mundësitë e rrojtjes së mirë i ka. Shtëpi ka bërë. Rroba të mira ka bërë. Gjithë lehtësirat i ka në dorë.

Po atëhere pse nuk rron mirë? Pse të hollat që prish nuk kanë duk? Nuk janë hallall? Nuk zenë vend? Prish sa të duash e nuk kënaqesh.

E para e punës që jeta ska asnjë rregull. Kushtet e jetesës janë të zorshme. Edhe për ata që kanë shumë napolona. Le ti lemë mënjanë ata që janë mësuar të shkojnë ditën me mundime dhe që nuk çajnë fare kokën për nesër, nëse do të kenë apo jo bukë për të ngrënë. Fjalën e kemi për ata që thonë se dinë të jetojnë.

Të paktë janë ata që dinë të jetojnë. Mirëpo edhe këta, duke rrojtur në një rreth ku asgjë sështë në rregull, asnjë çmim nuk është i qëndrueshëm, atëhere edhe jeta e tyre bëhet e vështirë. Shpenzojnë shumë dhe nuk rrojnë siç duhet.

* * *

«Nuk ushqehemi mirë. Kjo është e vërtetë. Dhe mund ta vërtetojë më mirë pamja jonë e jashtëme. Shikoni shumicën në fytyrë, në trup, në ecje: mizerje!

Nuk dimë të rrojmë, pa le të kemi të holla sa të hajë dhe dreqi.

I kemi kufizuar ushqimet tona. I kemi të pakta në familje. I kemi me masë, sa dhe me masë vemë në tryezë edhe bukën e gojës! Kjo a është e vërtetë?

Kafshatën e gojës, krodhen e bukës e ruajmë me kujdes, e heqim nga dora e fëmijës për kursim, se duam rroba të reja, duam shtëpi të re, duam edhe ne të bëhemi “njerëz të kohës” me gjithë lehtësirat e duhura, se gjer dje ishim të prishur, të shkatërruar, të papërfillur. Kemi edhe ne namuz, dhe duam fëtefët të bëhemi nikoqirë. Ky është i vetmi ideali ynë: si të bëhemi me çdo mënyrë dhe sa më parë nikoqirë. Bëjmë çështë e mundur.

Vetëm ngrënies, ushqimit si japim aspak rëndësi.

- Tjetri nuk të sheh se çke shtruar në tryezë. Ai shikon veshjen tënde, shtëpinë tënde.

Mirë, o i bekuar, po tjetri të vëren edhe surratin të tharë petë. Që të vishet njeriu mirë nuk është keq. Që të bëjë tjetri një pallat ska më mirë. Por edhe trupi, shëndeti duhet parë. Sa pare vlen që ti të jesh shik dhe të mos kesh pjato në shtëpinë tënde?

Sa pare vlen që ti të kesh pallate, napolona, kurse as çerekun e lekut nuk e prish për sallatë! Sa pare vlen lëkura jote, kurse asnjë lek nuk harxhon përjashta?

Ke të drejtë, se nuk di të jetosh! Re pa pandehur në qeset me para dhe e humbe torruan. Mirëpo nuk e di ti se po nuk u ushqeve si duhet ke për të ngordhur sa më parë! Dhe atëhere sa para vlejnë paret e tua?

Ata që kanë nuk prishin. Ata që skanë çtë prishin? Dhe rrobaqepësit tërë ditën mbajnë gërshërën në dorë. Dhe këpucëtarët e shumtë qëllojnë kot me çekiç. Dyqanet pak nga pak falimentojnë.

Vetëm kafenetë shtohen dhe (pronarët e tyre) pasurohen. Atje na pëlqen të prishim të hollat. Atje dhe ndër shtëpitë e tjera të dëfrimit. Se nuk jemi mësuar të rrojmë. Nuk jemi mësuar të kënaqim, të ushqejmë mirë edhe familjet tona.

Sidoqoftë këtu ka një jetë. Ka dëfrime, por ka edhe rënkime. Ka argëtime, qejfe, por ka edhe mizerje. Kemi për ti parë.

Një parantezë

Rroga!

Na është bërë koka

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›