E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në varr s’ka peng

15-07-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Sllobodan Millosheviç i vdekur s’ka peng. Ndjekësit e tij janë kthyer në pushtet. Uta Zapf, deputete gjermane dhe eksperte e Ballkanit, pohoi që, “forcat nacionaliste dhe reaksionare po marrin fuqi - madje në ditën e betejës në Fushë - Kosovë. Çfarë simboli fatal!”. Sllobo e pati kryer ngjitjen për Vidovdan, më 28 qershor 1989, dhe mediat shpallnin atëherë se, e gjithë Serbia ishte me të. Më 28 qershor 2012, aspak rastësisht, bash si Sllobo dhe për Vidovdan, bashkëpunëtori i tij i afërt, ish-zëvendëskryeministri i  Millosheviçit dhe presidenti i sapozgjedhur Tomisllav Nikoliç, ngarkoi bashkëpunëtorin e ngushtë të Sllobos, Ivica Daçiç, për të formuar qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 6 majit. Një ditë pas tyre, Daçiç pati paralajmëruar përpara balotazhit: cili do të jetë president, Boris Tadiç apo Tomisllav Nikoliç, nuk dihet, e sigurtë është se unë do të jem kryeministri i Serbisë.
Kjo lloj trajtese edhe mund të mos shkruhej, nëse radikalët do t’i bënin një kthesë radikale vetvetes, për të mirën e Serbisë. Por, ende pa u ulur në kolltuqet e epërme të pushtetit, ende pa u formuar qeveria, ende pa takime të njëmendta ndërkombëtare, kori i radikalëve të rëndësishëm në Beograd, u përngut të qetësonte shpirtin e Millosheviçit. Të gjithëve u parapriu presidenti i ri - Nikoliç, me një trekendësh deklarativ nacionalist kundër tri shteteve - Kosovës (për pavarësimin), Bosnjës (për Srebrenicën), Kroacisë (për Vukovarin). E vetmja frazë habitëse e tij,  natën e fitores, qe vetshpallja, se aleati më i rëndësishëm i Serbisë është Gjermania. Pasi u falën, njëri pas tjetrit, në Moskë, së pari presidenti Nikoliç e pastaj kryeministri Daçiç, ata nxituan të testojnë - presidenti  me vajtjen në Bruksel, kryeministri me vizitën në Berlin. Bashkim Europian foli qartë për Nikoliçin: kusht është Kosova. Ivica Daçiç udhëtoi për në Gjermani pasi kishte deklaruar që, “...qeveria e re e Serbisë do të insistojë që t’i kthejmë rreth 1000 forca të sigurisë” në Kosovë si dhe për ndarjen e saj si zgjidhje, por  gjermanët i thanë se nuk kishin për t’i shprehur Beogradit asgjë të re - ndaj Kosovës kryeni ato që u kemi shqiptuar! Për të mos mbetur pas - një zell të veçantë për protagonizëm radikal me sjellje, tekst dhe muzikë, tregoi kryexhandari i xhandarmërisë serbe Bratisllav Dikiç, me betimin “Pa Kosovë nuk ekziston Serbia. Pa Kosovën nuk ekzistoj as unë”. Ai nuk priti t’i drejtohej një poeti, por e shkruajti vetë  ndryshimin e betimit të xhandarmërisë, ku përjashtohet çdo alternative tjetër - Pa Kosovën nuk ekzistoj. Atë e pasoi Marko Polo i Serbisë, ministri i jashtëm - udhëtar botëror, në ikje, dhe kryetar  në ardhje i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Vuk Jeremiç, duke thënë pas takimit me shefin e diplomacisë qipriote Erato Kozaku Markulis se, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në OKB, “do të mund të ndodhte vetëm mbi trupin tim të vdekur”. Pushteti paralel serb, në veriun e Mitrovicës, vetndjehet i trimëruar, në veprime të dhunshme dhe idenë e ndarjes, të statusit special apo të autonomisë. Këto zëra thërrasin edhe më fort: Patriarku Irinej brenda kubeve të Kishës Ortodokse Serbe, ky emërues i thyesës politike atje; ato përtej lumit Ibër; nga zyrat e mëdha të Beogradit;  dhe deri me zërin e njeriut që do të marrë detyrën e lartë në pallatin e qelqtë në Nju Jork.
Perëndimi, gjithashtu, bëri hapat e tij: Presidentit të Serbisë iu tha në Bruksel se çfarë duhet të bëjë Serbia. Shtetet e Bashkuara dërguan menjëherë në Beograd, dy të dërguarit e sekretares së Departamentit të Shtetit Hilari Klinton, Philip Gordon dhe Philip Reeker, për t’i bërë me dije detyrat Beogradit. Drejt e në Prishtinë shkoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders  Fog  Rasmusen i cili, deklaratës pa shkuar atje që, “Unë kam thënë se për ndarjen e Kosovës as që mund të flitet dhe është me rëndësi që kjo të bëhet shumë e qartë për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, që nga Prishtina ai i përcolli Serbisë se, “Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ne duhet të kemi një proces politik, i cili do të sjellë integrimin e plotë të pjesës veriore në Kosovë dhe shoqërinë kosovare”.
Gjithë piramida qeverisëse, që  do të ndërtohet pa vështirësi me rekrutime të nacionalistëve, sipas kontributit që kanë dhënë dhe deklaratave që kanë thënë, gjendet përpara një prove të pazakontë: ose të zhbëjnë zgjidhjet dhe ekuilibrat në Ballkan, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ose të pranojnë realitetet funksionuese të krijuara. Zhbërjen e zgjidhjeve të arritura Serbia as nuk mund ta bëjë dot dhe as nuk do të lejohet ta provojë zhbërjen, sepse popujt janë të vetëdijshëm për atë që e kanë prekur edhe të mbështetur ndërkombëtarisht, ndërsa vetë Serbia është një shtet i dobët që, as nuk mund të nisë e as mund të përballojë luftëra. Beogradit i mbetet rruga e dytë - ose të fashistizojë jetën politike pa mundur të ndërmarrë veprime agresive, ose të pajtohen me realitetin  në Kosovë, dhe radikalët të tejkalojnë vetveten dhe properëndimorët e Tadiç: të normalizojnë marrëdhëniet me Prishtinën dhe të ecin drejt Brukselit. Ky kapërcim ka një vështirësi të dukshme, siç ndodh me mposhtjen e forcave të mëdha të inercisë. Por, zgjidhja ka vetëm një zgjedhja, ideologjia e vdekur - me diktatorin e vdekuri, të gjallët - me realitetin europian. Mbase do të luanin eshtrat e Sllobos nga  qendrime të tilla, por  Serbia s’mund të mbahet e lidhur për varresh. Hapja e dyerve për në BE ka një kusht - kjo është Kosova. Kosova si e tërë e pavarur apo veriu i saj, nuk duhet lejuar të përdoren si kusht serb ndaj Brukselit, sepse Kosova është shtet me njohje të gjerë ndërkombëtare, kurse veriu është pjesë e sovranitetit territorial të Kosovës, është pjesë e pandashme e Kosovës sipas planit Ahtisaari, është pjesë e Kosovës ku 40 mijë banorë nuk mund të detyrojnë mëvehtësi, pasi krahasimisht çfarë meritojnë qindramijëra shqiptarë në Maqedoni apo në Luginën e Preshevës, pastaj? Nëse qeverisja nën Tadiç pati një veçori - deklarohej perëndimore dhe sillej radikale, radikalët e sapo ardhur në pushtet zotërojnë një aset - ata janë nacionalistë radikalë, por qënia në pushtet, u jep mundësinë të kuptojnë me gjithë peshën se, ideja e tyre radikale nuk realizohet, ndaj për të mirën e Serbisë të bëjnë në kohë atë për të cilën po mbështeten edhe nga BE, edhe nga SHBA: pranimi i realitetit të ri në Kosovë. Boris Tadiç - ky bojkotues  gjatë gjithë dy mandateve në pushtet, vetëm i ikur kreu një gjest në Dubrovnik - por gjestet e të  ikurve janë si në proverbin shqiptar “trimëria pas betejës nuk vlen”. Përballë betejës gjendën radikalët dhe, përpara tyre sfida e vërtetë nuk është “pa Kosovën nuk ekzistoj”  apo “mbi trupin tim të vdekur”, sepse ashtu ata do  të  humbnin në paqë siç Millosheviç u mund me luftë; sfida serbe nën pushtetin e radikalëve është paqe me Kosovën, ruajtja e shpejtësisë drejt Bashkimit Europian dhe rindërtimi i besueshmërisë në marrëdhëniet me SHBA dhe NATO-n.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›