E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Lidhur me imunitetet, “presim të miratohet diçka më 6 gusht”

15-07-2012 / Gazeta 55

Ambasadori amerikan në Tiranë, vlerëson arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore dhe bën apel për miratimin e nismës për heqjen e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë

“Mbështesim synimin e shpallur të të gjithë udhëheqësve shqiptarë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe për sa kohë që këto zhvillime ecin në drejtimin e duhur, është e qartë që ne e mbështesim plotësisht”, ka konfirmuar dje Ambasadori amerikan Alexander Arvizu. Konfirmimin e tij, Arvizu e bëri gjatë një vizite në qytetin e Gjirokastrës, ku ndodhet në kuadrin e një turi dyditor vizitash dhe takimesh të cilat kanë pasur në qendër nismën “Vepro tani” si dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore në qytetin e gurtë.
Sipas tij, aq sa e admirueshme është që mund të arrihet marrja e statusit të vendit kandidat në BE, aq e rëndësishme është edhe që këto gjëra të mos bëhen thjesht për të marrë statusin e kandidatit, por se janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Duke u ndalur edhe te zhvillimet politike të ditëve të fundit, Ambasadori amerikan ka përshëndetur kompromisin e arritur për kodin zgjedhor. Ai e ka cilësuar shumë të rëndësishme marrëveshjen e arritur mes palëve, ndërsa është shprehur se më shumë rëndësi ka heqja e imunitetit. Sipas tij votimi më 6 gusht në parlament për heqjen e imunitetit është jetik.
Në përgjigje edhe të interesimit të mediave, Arvizu kërkoi gjithashtu nga klasa politike shqiptare që plotësimi i kritereve për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian të mos bëhet thjesht për fasadë.

Reforma zgjedhore pothuajse ka mbaruar - cili është komenti juaj për të meqenëse keni bërë thirrje disa herë për këtë çështje?
Si kushdo tjetër, edhe ne e mirëpresim shumë këtë marrëveshje. Kuptohet që është shumë e rëndësishme për vendin.  Jam veçanërisht i kënaqur që palët arritën një marrëveshje për reformën e kodit zgjedhor sepse ka qenë shumë e vështirë ngaqë në thelb ka qenë çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe, duke pasur parasysh performancën e KQZ-së më parë, është e qartë që kishte nevojë për një mekanizëm për t’i dhënë besim popullit; prandaj, jam i kënaqur që duket se ka një formulë të re. Mendoj që çështja tjetër e rëndësishme do të jetë votimi për heqjen e imuniteteve. Për këtë arsye, presim me kënaqësi 6 gushtin, e cila është data kur është planifikuar votimi. Me sa di ka disa projekte që qarkullojnë. PD-ja ka përgatitur një draft, po ashtu edhe LSI. Është e qartë që cilido dëshiron të bëjë diçka për heqjen e imuniteteve. Mendoj që ka rëndësi kritike. Ka gjyqtarë të mirë, ka parlamentarë të mirë, por mes tyre ka edhe hajdutë. Çështja e imuniteteve abuzohet këtu dhe nëse njerëzit e kanë seriozisht përmirësimin e zbatimit të ligjit, atëherë duhet të ketë një marrëveshje për heqjen e imuniteteve. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron të ndihmojë; është OPDAT në ambasadën tonë, në bashkëpunim me EURALIUS dhe PACA, pjesë e Këshillit të Europës. E përsëris, rolin tonë e shohim si këshillues për t’u përpjekur që të ndihmojmë dhe jemi të vendosur ta bëjmë. Por barra kryesore e veprave do të varet nga partitë. Presim të miratohet diçka më 6 gusht. Duhet të miratohet diçka. Nëse jo, për Shtetet e Bashkuara do të ishte një zhgënjim shumë i madh. Prandaj ka nevojë ta bëjnë.

Duket sikur për të tretën herë Shqipëria bëhet gati të dështojë në aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE. Ç’koment keni për këtë?
Ne nuk kemi të drejtë vote për këtë. Është e qartë që mbështesim synimin e shpallur të të gjithë udhëheqësve shqiptarë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe për sa kohë që këto zhvillime ecin në drejtimin e duhur, është e qartë që ne e mbështesim plotësisht. Por, siç e kam shprehur shpesh, sado e përgëzueshme dhe e admirueshme që të jetë arritja e statusit kandidat, për mua, e rëndësishmja është që këto gjëra të mos bëhen për të marrë statusin kandidat por të bëhen sepse janë me rendësi për zhvillimin e vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›