Maqedoni, vazhdojnë polemikat mes BDI dhe PDSH
Objekt i përplasjeve është përfaqësimi i shqiptarëve në institucione, ku dy partitë raportojnë të dhëna të ndryshme
Dy partitë më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH kanë vazhduar përplasjet rreth përfaqësimit adekuat të shqiptarëve. Opozita sërish akuzon se gjatë periudhës sa është BDI në pushtet nuk është respektuar ky parim themelor i Marrëveshjes së Ohrit, kurse BDI i ka përgënjeshtruar këto akuza. Deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu madje ka thënë se prej vitit 2009 janë punësuar mbi 40 mijë maqedonas në administratë, me çka përqindja e shqiptarëve ka shënuar rënie drastike.
Mirëpo përfaqësuesi i BDI-së Artan Grubi i ka hedhur poshtë këto pohime. Ai ka thënë se është e pamundur që pas vitit 2009 të jenë punësuar mbi 40 mijë maqedonas, pasi administrata shtetërore nuk numëron më shumë se 14 mijë të punësuar.
Pozitën e BDI-së në koalicion qeveritar e ka kritikuar edhe Rilindja Demokratike Kombëtare, si parti e tretë shqiptare që ka përfaqësues në Kuvendin e Maqedonisë.
Kjo parti ka akuzuar zyrtarët e BDI-së për deklarata të papërgjegjshme dhe joserioze për çështjet kryesore që i përplasin shqiptarët, siç janë përfaqësimi adekuat dhe përdorimi i gjuhës shqipe.