Në vend të ëndrrës së modelit ekonomik
Gjuha e modeleve nuk i ka munguar Shqipërisë edhe vite më parë. Kështu, në vitet e komunizmit, është folur për fanar të kuq në buzë të Adriatikut, diku për model ushqimor triumfues, diku për ngrënie bari, diku për edukim politeknik e popull-ushtar, diku për zhvillim me forcat tona, diku për model ekonomik pa pronë private, e ku di unë se çfarë akoma?! Dhe dihet rezultati. Por, sot, në kuadër të një ekonomie të ndërvarur në plan publik e privat, në rrafsh rajonal e global, as duhet shkuar në mend që mund të ecet me një model ekonomik tonin, aq më tepër që në procesin e integrimit europian kërkesat detyruese dhe reformat e nevojshme janë tërësisht të projektuara më parë, të zbatuara apo provuara në vendet kandidate apo anëtare të BE-së. Ndërkohë, duhet rritur kujdesi, vigjilenca e nikoqirllëku, në rrafshin ekonomik-financiar, sidomos në sajë të problemeve vluese në Greqi apo shenjave që po vihen re sot në ekonominë italiane; të dyja këto vende ku jetojnë dhe punojnë pjesa më e rëndësishme e emigracionit shqiptar të tranzicionit. Gjithçka që ndodh atje në planin ekonomik-financiar pasqyrohet, në një mënyrë apo tjetrën, edhe në ecurinë tonë ekonomike. Prandaj, për të ngacmuar deri diku ndjeshmërinë e specialistëve të ekonomisë, financave apo të vetë bankave, krahas politikanëve e zyrtarëve që mbulojnë fushat e mësipërme, po ndalojmë sado pak në situatën italiane…
* * *
Kriza e borxheve në zonën euro po bëhet sa komplekse, po aq shqetësuese, si në planin financiar, ashtu dhe politik. Sikur të mos mjaftonte kriza e borxhit (shtetëror apo sovran) të Greqisë, këto ditë tregjet kanë filluar të ndiejnë tronditjen italiane, pas asaj portugeze, irlandeze e spanjolle. Deri diku, pritej diçka e tillë. Aq më tepër që shumë vende të BE-së kanë një problem masiv borxhi. Kështu, borxhi grek ndaj GDP-së kap vlerën 150%, por dhe Italia nuk është prapa (me afro 120%). Portugalia e ka këtë borxh shtetëror rreth 95% të GDP-së (me një pritshmëri në 3 vitet e ardhshme për të kapur vlerën 130%). Sidoqoftë, shifra e borxhit e llogaritur në përqindje të GDP-së nuk është patjetër metrika e vetme apo më e mira, sepse çështja reale në këto vende mbetet ajo e realizimit të të ardhurave dhe krahasimi i tyre me borxhin përkatës. Madje, në rastin e Shqipërisë, jo thjesht borxhi (që i deklaruar është afro 60%), por realizimi i të ardhurave ndaj shpenzimeve është sot problemi kryesor, për ta ulur këtë borxh.
Çështja tjetër është ajo e shkurtimit të shpenzimeve apo mbledhja e rripit. Ndërkohë rritja e taksave, me gjithë nevojën për këtë gjë, krijon zbythje, pikërisht kur, vitet e fundit, këto vende kanë pësuar tkurrje apo vuajnë rënien ekonomike. Në fakt, një ekonomi ose nuk rritet, ose ngadalësohet më tej, kur shkurtimi i shpenzimeve çiftëzohet me rritjen e taksave. Sepse, veprime të tilla e heqin paranë nga ekonomia, nuk e fusin atë aty. Po ashtu, për strukturimin e borxhit duhet të merren parasysh dy rregulla bazë, që në pamje të parë duken evidente: 1. Rruga e vetme për zgjidhjen e një krize borxhi është reduktimi i tij; 2. Ristrukturimi i një borxhi të shumanshëm është kompleks dhe kërkon kohë.
Kjo vlen si për qeverisjen, ashtu dhe biznesin. Në një botë në ndërveprim e kooperim, kur një kompani shfaq probleme financiare, gjëja e parë që ajo duhet të bëjë është që të pakësojë shpenzimet, duke u fokusuar në thelbin e biznesit të saj. Dhe kjo ka kuptim. Pra, sapo kompania është para një krize borxhi (ndryshe nga ajo e likuiditetit apo shfaqja e një problemi ciklik, që kapërcehet kur mbyllet cikli i tij), ajo duhet të ndjekë dy rregullat e mësipërme. Madje, pas një planëzimi të ri më të mirë dhe trajtimit të gjitha mundësive për kalimin e borxhit, ajo duhet të riorganizojë buxhetin e saj me synim rritjen e konkurrencës. Shpesh, ky ristrukturim çiftëzohet me atë operacional, po për të reduktuar borxhin. Një gjë e tillë, për rastin e qeverisë, brenda binomit sovranitet-ndërvarësi (kur termi i sovranitetit bëhet kryesor), nuk është aq e lehtë. Sepse, nuk mund të lihen mënjanë interesat, rregullat apo kërkesat e BE-ja, ndërkohë që pesha kombëtare bëhet mbizotëruese nën trysninë e qytetarëve apo të bankave përkatëse. Në kushte të tilla, ndërhyn fuqishëm edhe politika. Me këtë lidhet dhe rregulla e tretë: 3. Mos bëj politikë me një krizë borxhi. E thënë ndryshe, një krizë borxhi duhet të zgjidhet në mënyrë teknike-financiare, por jo politike. Analiza financiare fokusohet dhe kërkon zgjidhje afatgjata, ndërsa analiza politike, shqyrtimi politik është afatshkurtër. Shpesh dhe i gabuar apo për interesa pushteti. Pra, një krizë borxhi nuk mund të zgjidhet me masa gjysmake apo afatshkurtra. Aq më tepër që kriza e borxhit shtetëror apo e huadhënies sovrane nga vetë natyra është e mbushur me pasiguri dhe rreziqe. Kjo vihet re dhe brenda BE-së. Vendet anëtare, së bashku e individualisht, duhet të gjejnë rrugët e reduktimit të borxhit të tyre dhe kapitalizimit më të mirë të bankave të veta. Një situatë e tillë kërkon një ristrukturim kompleks nëpërmjet një planëzimi të kujdesshëm, analize të gjithanshme dhe realizimi të mençur, larg retorikës politike; dhe mbi të gjitha, drejtim të zgjuar e vendimmarrje plot kurajë. Këtë duhet të ketë parasysh edhe politika shqiptare, sidomos ajo qeverisëse.
* * *
Përpjekjet e deritanishme europiane nuk kanë rezultuar të suksesshme në kapërcimin e situatës tepër kritike greke. Kjo dhe për arsyen që, në kapërcimin e infeksionit grek, BE-ja, në tërësi, rezultoi e pavendosur. Shqetësimi sot është që të mos arrihet, deri aty, në rastin e Irlandës dhe Portugalisë apo aktualisht në Spanjë e Itali. Por le të ndalojmë tani në rastin e Italisë.
Aktualisht, për Italinë GDP-ja është me afro 5% më poshtë fundit të vitit 2008 dhe në total është rritur vetëm me 7%, që nga viti 1999 (vit i adoptimit të euros). Pra, me një zhvillim më të dobët se mesatarja e zonës euro. Dhe sot, duket si e vështirë rritja ekonomike e saj, veçanërisht me borxhin e saj të sotëm (prej afro 120% të GDP-së). Edhe konkurrenca apo kompetiviteti i ekonomisë italiane ka rënë në vite. Krizën e saj, deri tani, thjesht e ka frenuar mbajtja nën kontroll e pozicionit të saj fiskal, shpesh duke manovruar me vjeljen e të ardhurave, që kalojnë shpenzimet përpara pagesave të interesit. Megjithatë me borxhin prej gati 1.8-1.9 trilionë euro që ajo ka, gjithçka varet nga besueshmëria e investitorëve për të mbajtur të ulëta pagesat e interesit. Në vitin 2011 pritet që të paguhet një shumë prej 73 miliardë eurosh si interes. Ndërsa, për një kalim nga 4% në afro 6%, pagesa e interesit kërkon dhe 35 miliardë euro të tjera. Yield-i aktual (me maturim 10-vjeçar) për borxhin ka kapur 5.5% dhe ka prirje të rritet më tej. Pra, Italia ndodhet kështu në një rreth vicioz. Madje, në fund të vitit 2013 Italia duhet të rifinancojë një borxh prej 500 miliardë eurosh. Për më tepër, nëse italianët i tërheqin paratë nga bankat e tyre dhe i dërgojnë jashtë, kurse investitorët e sektorit privat i shesin bonot italiane, atëherë mbetet të përfshihen për mbulim vetëm strukturat shtetërore. Në një skenar të tillë, italianët (si grekët) mund të dalin nga ky cikël vetëm me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera, duke e bërë problemin e ristrukturimit të borxhit politikisht më të ndjeshëm në nivel europian.
* * *
Këto lloj simptomash duken si familjare. Një gjë e tillë e ka rritur shqetësimin ndërkombëtar, mbi të gjitha të anëtarëve të zonës euro. Janë rritur dyshimet mbi stabilitetin qeverisës, dhe po ashtu po shfaqet një skepticizëm i thellë mbi financat e vendit, që mbartin një përzierje të rrezikshme, duke u krahasuar me borxhin e saj kombëtar në krahasim me atë të vendeve të tjera.
Por, sa shqetësuese është realisht situata në Itali? Në fakt, sulmi aktual investitorëve nuk përbën ndonjë sur
