E Diel, 1 Nëntor 2026

Publiku dhe politikëbërësit turq, të ndarë lidhur me kontributin e tyre në NATO

18-07-2011 / “Southeast European Times”

Gjatë dekadës së fundit, me rritjen e rëndësisë së Turqisë në skenën botërore, roli i saj në aleancat botërore ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Administrata e rizgjedhur kohët e fundit e AKP-së ka ndërtuar një hapësirë të re për vendin për të shprehur pikëpamjet e veta për çështjet ndërkombëtare, madje edhe kur ato pikëpamje përplasen me ato të aleatëve të tyre. Edhe opinioni publik ka ndjekur shembullin e saj, me sondazhet që regjistrojnë skepticizëm në rritje lidhur me NATO-n dhe BE-në. Një raport i përpiluar nga studiuesit në Universitetin Bahçesehir të Stambollit në fillim të këtij vit konstatoi se vetëm 41% e të anketuarve e konsiderojnë anëtarësimin në NATO si thelbësor për sigurinë kombëtare. Kjo krahasuar me 67% që kishin këtë pikëpamje në vitin 2004. "Mund të vërehet se në krahasim me popujt e vendeve të tjera, turqit ishin më skeptikët për domosdoshmërinë e NATO-s," thanë hulumtuesit. Një studim i kryer në vitin 2010 nga Transatlantic Trends zbulon konstatime të ngjashme: "Krahasuar me vitin e kaluar, turqit ishin më pak të bindur se NATO është e domosdoshme, më pak të interesuar në bashkimin me BE, dhe kishte më pak të ngjarë të thonë se vendi i tyre ndan të njëjtat vlera me Perëndimin". Mustafa Kemal, një shofer taksie në Stamboll prindërit e të cilit i vunë atij emrin sipas themeluesit të Turqisë, ka një pikëpamje që e ka një pjesë e konsiderueshme e publikut turk. "Ata po na shfrytëzojnë," tha ai. "Turqia është një vend i fortë, por është duke u menaxhuar nga vendet e tjera". Megjithatë politikëbërësit dhe ushtria e vendit kanë një pikëpamje të ndryshme. Ata vazhdojnë të shohin NATO-n dhe marrëdhëniet me BE-në si vendimtare për interesat e vendit. "Të ecësh vetëm nuk është një opsion," paralajmëron eksperti i marrëdhënieve për SHBA-Turqinë, Mustafa Ajdin. Rëndësia në rritje e Turqisë në botë, tha ai, do të thotë se ajo duhet të luajë sipas rregullave dhe të pranojë barrën. Në të njëjtën kohë, shtoi ai, është koha që të gjitha palët të rregullojnë perceptimet dhe pritshmëritë e tyre. "SHBA duhet të krijojë hapësirë për fuqinë në rritje të Turqisë dhe nuk duhet ta shohë atë si një sfidë," tha për Turqinë në Uashington në një konferencë të Institutit të Lindjes së Mesme në qershor. Për shumë turq, pikëpamjet e Aleancës dhe të Shteteve të Bashkuara janë të gërshetuara, sipas William Hale, Profesor Emeritus i SOAS. "Qëndrimet ndaj NATO-s ndoshta përcaktohen kryesisht nga qëndrimet turke ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë qenë në pikën më të ulët që nga pushtimi i Irakut," tha ai për SETimes. Në përgjithësi, thonë analistët, politikëbërësit turq përballen me sfidën e bindjes së publikut -- shumica e të cilit është rritur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë -- mbi rëndësinë e Aleancës për Turqinë. "Në një botë me dy pole, anëtarësimi në NATO ishte një simbol i përkatësisë në anën atlantike", tha profesor Basak Zejnep Alpan i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara. "Në vazhdën e Luftës së Ftohtë, në një botë me shumë pole, ky anëtarësim u bë i rëndësishëm vetëm për tema të caktuara dhe specifike, dhe kjo natyrisht pasqyrohet në perceptimin e publikut". Të bindësh Kemalin, shoferin nga Stambolli, nuk do të jetë detyrë e lehtë. "Traktatet e sotme janë nënshkruar dyzet vjet më parë. Ato nuk janë të përshtatshme për brezin e tanishme," tha ai për SETimes.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›