Vështirësitë e opozitës, për t’u çliruar nga irracionaliteti i kryetarit
Edi Rama, në prag të lëshimit, me një lëngatë të papërmbajtur, të karriges që i ishte ngjitur si me vinovil, në selinë bashkiake, nxori në pah, si askurrë më parë, mungesën tërësore të të shprehurit, qoftë edhe në minimumin e mundshëm të një mendimi të qartë. Në intervistën e këtyre ditëve në Top Channel, mjafton të shihje fizionominë e brengosur të intervistuesit, që të kuptoje se drejtuesi i programit i thoshte “mirëmëngjesi”, ndërsa i pyeturi përgjigjej “po zë peshk”, - sipas një thënieje popullore kur tjetri të përgjigjet tjetër për tjetër. Jo gjithmonë ai që di të bërtasë, - madje më fort se Hitleri, - di edhe të flasë. Mbase kjo mund të jetë edhe arsyeja që nuk ka dashur të ballafaqohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë me Berishën (në 2009), qoftë edhe me kandidatin për bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën, në fushatën e 8 majit të këtij viti. A mos, vallë, e ka pasur këtë kompleks inferioriteti, që ka parapëlqyer kurdoherë përballjet me vulgaritete, veçanërisht me gazetarë të rinj, apo me gazetare të reja, ndaj të cilave i është shmangur përgjigjeve të vështira, me fraza agresive, si: “të fala Sandrit”? Apo më keq akoma, kur i ka treguar ndonjërës semaforët, duke rënë në plonzhon në moralin e një të panjohure?
Në kundërthënien “nuk jam politikan”, ndonëse aspiron që të jetë kryeministër, -përveçse kryetar partie në detyrë, plus kryetar bashkie, - mund të ketë një përqindje të atij të foluri me azganllëk, ku zëri shungullues bën njëfarë efekti në polemikat e përbrendshme për karrierë, për të gjunjëzuar ajkën e LMN-së, shto këtu edhe në zgëqet e mbyllura, larg syve të medieve. Bisedat arsyetuese me zë të shtruar, për tema serioze janë larg interesit të oratorit të temave ordinere. Por, si kompensim i të mos qenit politikan, ai ka ambicien të jetë një vizionar!
Por një gjë e tillë është e vetëproklamuar. Është një dëshirë e tij, që ka lidhje me mendjemadhësinë në shkallën sipërore. A e di ky anarkist se çdo të thotë të jesh misionar? A di ai të na japë shembuj të misionarëve, në faqet e historisë? Misionarët janë të rrallë, shumë të rrallë. I tillë është Mahatma Gandhi, që jetësoi çlirimin e një vendi të madh si India, me metoda të qëndresës paqësore. Ka edhe të tjerë. De Gasperi, Adenaueri dhe Shumani vërtet janë misionarë. Sepse janë projektuesit e një Europe të Bashkuar, me tipare thjeshtësisht demokratike. Pa e ngritur zërin. Pa ulërima. Me bindjen e arsyetimit të tyre të shëndoshë. De Gasperi, përfaqësuesi i një shteti të mundur si Italia, arriti ta bëjë vendin e tij të respektueshëm në Konferencën e Paqes dhe të fitojë simpatinë e sinqertë të Shteteve të Bashkuara. Me prestigjin e tij, ia preu thonjtë mareshalit Tito, që synonte të vinte duart në trojet verilindore të Italisë, në Trieste, Pola e Venecia-Xhulia, ndërsa shteti “fitimtar” i Enver Hoxhës, nuk pati guximin as t’i kujtonte Vezirit të tij premtimin se Kosova do t’i nënshtrohej pas Luftës një referendumi, për të caktuar nëse do t’i përkiste Jugosllavisë apo Shqipërisë! Adenauri, me zotësinë e tij të një shtetari të rrallë, e bëri Gjermaninë e Hitlerit një vend demokratik me ligje të efektshme, që ia hoqën Gjermanisë njollën e një vendi të indoktrinuar, ndërsa Edi Rama feston Enverin në Pezë në çdo 16 shtator, për të mos lënë të flashket ajo mendësi enveriste, për hir të së cilës të molepsurit e atij regjimi na japin leksione demokracie!
***
Tani do t’i rikthehemi intervistës së 14 korrikut, që të shohim ç’arsyetime të çakorduara dalin nga goja e një “politikani” që s’di të dallojë humbjen nga fitorja (madje nga fitorja historike, me +10, të pashpallur nga organet kompetente ligjore, por nga vetë i interesuari, vetë shkop, vetë Zot!) Pyetjet janë rreth 20. Mbase intervistuesi kishte përgatitur 40. Por me një proliks si E. Rama, mirë që arriti në gjysmat. Ne do të merremi, për mungesë vendi, vetëm me një pjesë të tyre. Shtojmë se provat për të mbajtur shënime ishin të pamundura. Por në një gazetë janë marrë me diktofon, madje janë edhe redaktuar. Megjithatë mos kërkoni sintaksë dhe qartësí. “Dashke kaligrafi në b... të Kalipsosë”, thoshte një shoku ynë, duke na lënë përshtypjen se ajo Kalipsoja e shkretë ishte një b...-shtrembër!
Fillojmë me pyetjen e parë: “Analistët thonë se PD-ja u votua më shumë. Është votuar regjimi? Përgjigjja nis me avazin e Mukës, të vjedhjes së votave, çelësi magjik për t’iu shmangur çdo pyetjeje. Më poshtë vazhdon: “Ne fituam 2/3-at e territorit për të qeverisur, por kemi fituar në betejën mes kandidatëve më shumë vota se koalicioni i regjimit, kemi fituar shumicën. Ndërsa në votat për këshillat bashkiake dhe komunave nuk është një votë politike, sidomos në zonën rurale apo qytetet e vogla, ku bëhet fjalë për votat për këshilltarë. Ne kemi fituar bindshëm atje ku kemi mundur të garantojmë votën, ndërkohë që në territore të tjera na duhet shumë punë për të garantuar votën dhe do t’ia dalim”. (Hane Shan, Hane Bagdad!) Ja sesi do të ishte përgjigjja për të njëjtën pyetje, që po e citojmë në një këndvështrim të analistit të PD-së: “Rezultati i kryeqytetit ishte më i larti në katër gara të marra së bashku duke shënuar 109 mijë vota më shumë në favor të koalicionit të djathtë. Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, mbeti ne fuqi vendimi i KQZ-së me fitues Lulzim Bashën. Koalicioni "Aleanca për Qytetarin" doli nga këto zgjedhje si koalicioni më i rëndësishëm elektoral që nga viti 1992. Përsa i përket bilancit të dalë nga zgjedhjet vendore, koalicioni i mazhorancës rezultoi me 40 mijë vota më shumë se koalicioni opozitës, 43 mijë vota më shumë në të gjitha qytetet e vendit, mori 41 mijë vota më shumë për të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe komune; 10909 vota më shumë në katër gara të marra së bashku të kryeqytetit të vendit. “Aleanca për Qytetarin”, mori 140 mijë vota më shumë se koalicioni tjetër,. Aty ku qytetarët votuan flamurin e Partisë Demokratike dhe flamujt e koalicionit, ata dhanë 140 mijë vota më shumë". A nuk është një përgjigje konkrete?
Një pyetje tjetër, së cilës duket se i pyeturi nuk dëshiron t’i përgjigjet: - “Zëra kritikë, si ai i zotit Malaj, thonë se ju e keni mbyllur partinë, nuk thërrisni Sekretariatin dhe nuk përfshini në grupet e punës sekretarë të PS. Të tjerë thonë se ju i lini në detyrë, por i lini pa punë”! Përgjigjja: Këto janë çështje partie. (Sekrete, si në kohën e Enverit?) Unë nuk mendoj se janë çështje me interes publik. (Pyetjeve me spec, nuk dëshiron t’i përgjigjet dhe e deklaron pyetjen pa interes publik! Përkundrazi, është pyetje me interes më të madh se pyetjet e tjera!). Por intervistuesi ngulmon: - Do t’ia dëgjoni zërin zotit Malaj?
Kjo e dëgjimit të zërit është një formulë e pushtetit të vjedhur (një uverturë e përsëritur, bajate), ne në PS dëgjojmë jo vetëm zërin, por dhe mendimin e çdokujt, ku të gjithë mund të japin mendim të lirë (si respektimi i lirë i LMN-së!). -Kastriot Islami ka kërkuar që të mos i përgjigjeni pyetjes sime nëse do ta përjashtoni atë nga partia apo jo?
Pyetja a do ta përjashtojmë ne Kastriot Islamin nga partia nuk përbën sens. Pyetja më domethënëse do të ishte “a do ta ripranonim në parti” Kastriot Islamin, sepse praktikisht ai ka kohë që ka ikur me dëshirën e tij (mashtrim, se ai nuk është thirrur fare në forumet) dhe është vendosur në një pozicion që është jashtë kampit opozitar. (“A do ta ripranonim”, do të thotë se është jashtë partie!) .Ndërkohë që, sa i përket aspektit formal, PS ka forumet e saj që marrin vendimet e tyre në kohën e duhur, kur të gjithë së bashku e gjykojmë të arsyeshme, pra nuk bëhet fjalë për përjashtim. (Ajo “të gjithë së bashku” është një mashtrim, kur dihet se Edi nuk është kolegjial, pra as që e merr mendimin e të tjerëve).
-A do t’ia dorëzoni Bashkinë Lul Bashës? Unë nuk di të ekzistojë ndonjë njeri i arsyeshëm që të mund të pohojë se gjeja e vjedhur mund të dorëzohet me procesverbal. (Është e vjedhur. S’është e vjedhur, atë e cakton Kolegji Zgjedhor, por Edi kujton se mund të bëjë edhe detyrën e Kolegjit!). Për ne dhe për të gjithë shqiptarët rezultati është i grabitur në tavolinë dhe i vulosur nën tavolinë.(Është thënë dhe përsëritur!). Nuk është rezultati i zgjedhjeve të Tiranës, por është rezultati i vjedhjes së zgjedhjeve të Tiranës. Për ne, ky rezultat ka vlerën juridike si çdo fashizëm oriental (!) që çon kanakarin e Saliut në bashki, por për sa na takon neve, as na shkon në mend ta pranojmë. (Këtë ish-kryebashkiaku e ka thënë para se Kolegji të jepte verdiktin: se nuk do të pranonte atë zgjidhje që nuk e cakton atë si fitues!).