E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne vend të mirëseardhjes për www.edirama.al

Nga Mero Baze

Në përballjen e  politikës shqiptare pas vitit 2005, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës  është formuar dita- ditës një rutinë e betejës së tyre politike. Politika e Berishës ka qenë e përqendruar në tema të mëdha dhe të vjetra, si antikomunizmi, antikorrupsioni apo  integrimet euroatlantike,  ndërsa politika e Edi Ramës ka qenë më tokësore, më me detaje dhe më pak epike se e Berishës, duke u përqendruar tek çështje që njerëzit arrijnë t’i prekin, siç është varfëria, urbanizimi,  monopolet në ekonomi, problemet sociale , problemet e arsimit, etj .  Temat e mëdha të Berishës  dhe temat e detajuara të Edi Ramës, faktikisht po vërtiten në politikën shqiptare si shkaku dhe pasoja. Nëse i pari i përdor temat e mëdha për retorikë, në të vërtet nuk respekton asnjë prej tyre. Ne kemi sot ende shumë probleme prej mosdënimit të komunizmit, jemi në pikën kritike të mbijetesës prej korrupsionit ë pushtetit të familjes Berisha dhe jemi vendi i fundit në procesin e integrimit evropian.  Temat e detajuara të Edi Ramës janë më të prekshme dhe konkrete,  dhe ato arrijnë të vendosin një komunikim mes politikës dhe qytetarëve dhe biles t’i japin një kuptim arsyes përse duhet të komunikojnë.  Këtu duhet të shikojmë dhe rëndësinë që ka ngjarja,  e cila lidhet me publikimin online të faqes www.edirama.al . Ajo është një përpjekje për të shmangur gjymtimin që po i bën komunikimit mungesa e lirisë, mungesa e medies së pavarur dhe profesionale dhe mbi të gjitha mungesa e transparencës në vend. Infrastruktura e informimit në Shqipëri gjendet praktikisht në krizë, pasi  në kushtet kur pushteti ka dështuar dhe temat e  mëdha të Berishës si antikomunizmi, antikorupsioni apo integrimi, kanë dështuar, e gjithë beteja është zhvendosur tek bllokimi i komunikimit të shqiptarëve me palën tjetër, me opozitën, me atë që mund të bëjë diferencën. Gjithë energjitë e medies që është thuajse e tëra nën kontrollin e pushtetit, po harxhohen për të bërë pis palën tjetër, për njehsuar atë që vjedh, atë që vret, atë që na lë jashtë Evropës,  me atë që vritet,  me atë që vidhet,  me atë që po izolohet në shtëpinë e tij. Tashmë nuk ka më media që heroizojnë qeverinë, pasi është mision i pamundur, tani kemi medie që përpiqen të demonizojnë opozitën apo faktorët opozitarë në Shqipëri, pasi kjo është shpresa e fundit që të ruhet statukuoja. Tellallët e pushtetit tashmë kanë leje biles dhe të kritikojnë ndopak pushtetin, por shqetësim kryesor duhet të kenë të se si të gjejnë qimen tek opozita , për ta bërë situatën dëshpëruese.

Për këtë arsye një ngjarje e tillë në dukje modeste, prek thelbin e nevojës që ka sot shoqëria shqiptare, nevojën për të komunikuar me atë që bën diferencën me pushtetin. Komunikimi me shoqërinë përmes kësaj metode, të siguron mes të tjerash komunikimin me pjesën e ndriçuar të shoqërisë, me atë pjesë e cila e ka më të vështirë të manipulohet se pjesa jo urbane e saj, që në mungesë të medies së lirë dhe informuese, në mungesë të një standardi transparence në vend, informohet ose indoktrinohet nga gënjeshtra vulgare të pushtetit.

Duke ju drejtuar pjesës së ndriçuar të shoqërisë, Edi Rama ka zbuluar nevojën reale që ka për të ndikuar tek mendjet e  hapura të këtij vendi, të cilat janë e vetmja mundësi që opozita të shumëfishojnë opozitën në debatin publik.  Shumë vetë e kanë ende të freskët imazhin e kryeministrit tonë me një receptor telefoni në dorë me shpresë të komunikonte me qytetarët për korrupsionin në vitin 2005 dhe imazhin e kryeministrit , që më pas nuk pranonte jo më kasetat që i çonin ministrat në zyrë për njëri tjetrin, por nuk pranon sot as raportet zyrtare të qeverisë amerikane për korrupsionin  e djalit të tij, vajzës së tij dhe familjes së tij në tërësi.  Kjo ngjarje mes të tjerash i vë kapakun dhe kësaj hipokrizie të vjetër, manuale, që e prodhon një mendje e mbyllur  për shoqërinë shqiptare. Kjo është diçka që para Edi Ramës e kanë bërë miliona vetë, miliona njerëz të zakonshëm, studentë, profesionist, nxënës apo qytetarë të thjeshtë. Kjo është rruga që po mbyt censurën, që po shkatërron regjime autoritare dhe po bën të padobishme miliardat që po hidhen për t’i mbyllur gojën shtypit të lirë. Komunikimi online po shpëton  lirinë, nga gjithë kurthet që i ka ngritur politika kudo në botë. Gazeta Tema është një shembull, se si në “tokë”, aty ku bën ligjin Berisha dhe regjimi i tij ajo e ka të pamundur të mbijetojë nga tregu i padrejtë dhe se si onlinë është gazeta më e lexuar në Shqipëri. Kjo është rruga ku njeriut ja vë çmimin shoqëria dhe jo regjimet. Me këtë ngjarje sot  është më e lehtë ta prekësh Edi Ramën dhe më e vështirë të hysh në mendjen e mbyllur të Sali Berishës. Sot është më lehtë ta kritikosh, ta mbështesësh apo të debatosh me Edi Ramën dhe gati fatkeqësi të tentosh të kritikosh, apo debatosh me Sali Berishën. Kjo është një ngjarje modeste, por me shumë rëndësi, edhe për faktin se është një ngjarje, që nuk e prodhon dot Sali Berisha.

Unë shpresoj që kjo adresë të jetë një komunikim i vërtetë dhe i prekshëm nga çdo qytetar, qoftë dhe ata që nuk e mbështesin Edi Ramën. Biles ata kanë shans të takojnë kundërshtarin e tyre në pamundësi për të komunikuar me liderin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›