Në vendet nordike janë regjistruar temperatura nën -40 gradë Celsius
Moti shumë i keq në veri të Europës ka shkaktuar trazira të tjera nëpër aeroportet më të rëndësishme të kontinentit si në Francë, Britaninë e Madhe, Republikën Irlandeze dhe Holandë. Shumë fluturime janë anuluar në aeroportin e Parisit “Orly’, në aeroportin e Dublinit dhe Amsterdamit. Në Gjermani të paktën 9 të pastrehë të gjithë burra nga mosha 42 deri në moshën 62 kanë ngrirë nga të ftohtët. Shumë trena të eurostarit gjithashtu i kanë anuluar udhëtimet. Muajin e fundit shërbimi i këtij treni u ndërpre për shkak të disa trenave të cilët u karamboluan dhe ngecën në një tunel dhe shkak për këtë situatë doli se ishte dëbora që ishte futur deri në thellësi të makinerive.
Në shumë vende të Europës temperatura i ka kaluar të 10 gradët nën zero dhe kanë hyrë në funksion makineritë e pastrimit të dëborës. Në veri të Gjermanisë situata ka pasur raste që ka qenë aq e rëndë sa rrugët janë bllokuar për ditë e ditë të tëra. Në Republikën e Irlandës një pjesë e aeroportit ka qenë e paralizuar prej shumë ditësh për shkak të sasisë së konsiderueshme të dëborës. Edhe rrugët janë ose me borë, ose me akull që e bëjnë shumë të rrezikshme e herë-herë të pamundur ecjen e makinave. Si pasojë, dhjetëra shkolla janë mbyllur dhe bashkë me to edhe institucione të tjera. Trafiku është ndalur dhe çrregulluar edhe në Amsterdam dhe qytete të tjera të Holandës. Vendet nordike ndodhen gjithashtu në vështirësi. Për to bëhet fjalë për dimrin më të ftohtë që nga vitet ’80 me temperatura që në zona të caktuara i kanë kaluar të -40 gradët Celsius. Në Poloni numri i të vdekurve ka kapur shifrën 112 dhe pjesa më e madhe e viktimave janë të pastrehë.