E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në veri, s’ka doganim

Në veri të Kosovës vazhdojnë të hyjnë pa doganë mallrat serbe. Pas marrëveshjes së arritur në Bruksel midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë është thënë se tani do të duhet të fillohet të paguhet doganë për mallrat që hynë përmes pikave kufitare në veri. Megjithatë, zyrtarët në Kosovë, e as ata në Bruksel, nuk sqarojnë se çfarë po bëhet më tej me këtë marrëveshje.

Autoritetet kosovare dhe ato në Bruksel vazhdojnë të mos japin detaje rreth kohës kur do të fillojë të zbatohet ujdia e re për doganat e arritur me 17 janar. Kjo marrëveshje, sipas ligjit në fuqi për doganat, nënkupton që Kosova të mos jetë më një zonë unike doganore.

Marrëveshja e përkohshme, siç është quajtur nga zyra e ndërmjetësues së dialogut Cathrine Ashton, përfshin pagesën për taksat doganore në dy pikat kufitare të veriut, në të cilat, qysh prej dy vitesh, pothuajse, nuk kane funksionuar. Por, që mjetet të derdhen në një fond të veçantë, të menaxhuar nga një përfaqësues i BE-së në Kosovë.

Kjo marrëveshje e kryeministrave Thaçi e Daçiq do të duhej të zhvleftësonte një masë të përkohshme që ishte vënë në takimin e dhjetorit që në veri të mund të hyjnë pa doganë mallra deri në 3.5 tonë.

Por, deri më tani nuk është dhënë ndonjë shpjegim rreth afatit të zbatimit të kësaj marrëveshje. Nga zyra e baroneshës Cathrine Ashton është thënë se çështja e doganave vazhdon të mbetet në proces.

Zëdhënësja Maja Kocianciq i ka thënë Radio Kosovës se problemi i doganave mbetet në proces diskutimi. Por, nuk ka shpjeguar se kur do të fillojë zbatimi i asaj për të cilin kryeministrat Thaçi e Daçiq janë dakorduar . Për këtë, nuk ka dhënë përgjigje as kreu i doganave të Kosovës Naim Huruglica.

Ajo që është konfirmuar është se Serbia dhe Kosova më vonë do të duhet të gjejnë një zgjidhje tjetër për doganat. Sidoqoftë, përmes dy pikave kufitare në veri vazhdojnë të futen mallra pa u doganuar, përkundër asaj që thonë autoritetet vendore se Kosova është një zonë unike doganore. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›