Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Lista e PS-së për në BE, lista e kënetës është për opozitë

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste duke folur për listën e kandidatëve të PS në zgjedhjet e 11 majit tha se, “Lista e Partisë Socialiste përfaqëson një parti të re drejt BE-së”.
Në takimin e zhvilluar sot në kryeqytet për prezantimin e kandidatëve të PS-së për Qarkun e Tiranës, Rama tha se, “në 11 maj anëtarësimi në BE është për gjithë jetën ndërsa humbja e këtij shansi është kushedi për sa vite të tjera. Pasaporta jonë të jep të drejtën të lëvizësh lirisht, por pasaporta e BE-së, të jep të gjitha të drejtat dhe liritë të qëndrosh brenda këtij perimetri dhe ti mos të votosh që fëmija jot të mos ketë pasaportë europiane dhe ta hedhësh votën në kënetë, apo në moçalet e tjera aty, ku janë të gjithë kushërinj me kënetën çfarë kuptimi ka kjo”.
“Është vetëm një votë për të bërë krahasimin. Gjyshin dhe gjyshërit lanë kockat për lirinë por ty nuk të kërkohet të lësh kockat, ty të kërkohet thjesht që bufin e kënetës ta lësh në fatin e vet dhe me votën tënde t’i buzëqeshësh fatit europian të Shqipërisë”, tha Rama.
Rama krahasoi dy listat e kandidatëve të PS dhe opozitës.
“Merrni dhe shikoni listën e mbyllur këtu në Tiranë. Lista jonë e mbyllur është me njerëz të rinj dhe ka filozofinë e të gjithë kësaj skuadre dhe të gjithë vizionit tonë, një parti e re për Shqipërinë në BE. Në sot kemi bërë një investim për PS-së 2030. Merre dhe shiko listën e tyre të mbyllur, që është fiks gropa në pemë, bufi i kënetës aty, bufat e vegjël që i ka mbledhur aty, sepse ajo është listë për opozitë, nuk është listë për të marrë qeverinë. Ajo është listë që kur të humbi bufi të bëjë atë që ka bërë gjithnjë, duke thënë, na i vodhën, revolucion dhe të mos ketë aty asnjë që t’i thotë boll. Ajo është listë për opozitë”, u shpreh Rama.
Ai solli në vëmendje se, me primaret e PD-së, u kujtuan ‘zhapikët e vegjël’ se u bë deti kos dhe rendën tek primaret. “I pari i gjithë qarkut të Tiranës doli ai i Kavajës, po ku është ? Nuk është ai se e ka ngrënë bufi. Kjo nuk është për ju”, tha Rama.
“Në këtë Tiranë që është sot një kryeqytet që ka një aeroport me numrin më të madh të pasagjerëve që ia ka kaluar edhe Beogradit, në këtë Tiranë që nga një kënetë e madhe është bërë destinacion turistik. Tani të jetosh në këtë Tiranë dhe të vësh në diskutim se çfarë do të bësh më 11 maj, në një kohë që këtu çështja është që flamuri i Shqipërisë të jetë i ngjitur me flamurin e BE dhe duke qenë që e kemi Albania të jetë i pari në radhë dhe këta 27 të tjerët që kemi kaq kohë që ju shkojmë nga mbrapa të jenë nga mbrapa nesh, kjo është e qartë pse duhet të votoni PS-së”, deklaroi Rama. /j.p/