E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, një hap para apo prapa?

Analizojnë zhvillimet e fundit Andrea Stefani, Sokol Balla, Mimoza Dervishi dhe Ermal Hasimja

Negociatat nën ndërmjetësimin e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ishin përpjekja e radhës për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Përtej deklaratave zyrtare të bëra nga ndërkombëtarët dhe liderët e partive kryesore politike lind dukshëm pyetja se sa u shënua një hap para apo gjithçka mbeti në vend me frikën se mund të kthehet mbrapsht? Kësaj pyetjeje, por edhe asaj nëse mund të konsiderohet njëra palë si e humbur dhe një tjetër si e fituar u japin përgjigje disa prej analistëve politikë më të njohur në vend.

Andrea Stefani

1. Nuk vërehet ndonjë përmirësim i situatës politike edhe pas përmbylljes së bisedimeve nga ana e dërgatës së KiE në Tiranë. Dhe meqenëse patëm një faktor të ri në lojë, jo vetëm PD dhe PS, stanjacioni në fjalë duhet t’i faturohet paksa edhe atyre. Kuptohen ekzigjencat dhe takti diplomatik, por ka momente kur gjërat duhen thënë “Shqip”, edhe kur flitet anglisht. Veçanërisht nga delegacione të tilla që kanë mision të ndihmojnë në qartësimin e raporteve të palëve në një situate krize. Mjerisht, nuk është e para herë, që “ndërkombëtarët” nuk flasin shqip. Dhe kur është fjala për Shqipërinë, nëse duan të ndihmojnë, ata duhet të flasin shqip. Edhe këtë herë, delegacioni i KiE nuk u prononcua qartë, madje e shmangu edhe nga dokumenti i tij kryesor, kryeçështjen e hapjes së kutive. Mendoj se takti është i tepruar dhe pra, një gabim. Sepse pa qartësimin e çështjes së kutive, nuk mund të ketë zgjidhje të krizës. Mjerisht, delegacioni nuk dha asnjë kontribut në zgjidhjen e kësaj kryeçështjeje prandaj edhe me largimin e tij, nuk shoh se do të ketë një përmirësim të situatës politike. Dhe delegacioni i KiE nuk mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës politike në Shqipëri as duke i thënë opozitës atë ka 6 muaj që ia thotë përditë Berisha pra, thjesht hyr në Parlament. Tashmë është bërë e qartë se kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që opozita nuk ka marrë garanci për realizmin e transparencës si mjeti i vetëm për të çrrënjosur mekanizmin e hajdutërisë së votave. Dhe me sa duket, edhe pas deklarimeve të Ramës, nuk do të ndodhë. Pra politikisht, jemi në të njëjtën pikë ku ishin para se të mbërrinte dërgata e KiE që unë mendoj se dështoi në misionin e saj.

2. Nuk jam në gjendje të dalloj ndonjë fitues. Edhe pse Kryeministri Berisha nxitoi ta përshëndeste deklaratën e delegacionit. Sepse fitorja e vërtetë për Berishën do të qe sikur opozita të hynte në Kuvend pa kërkuar hapjen e kutive. Kjo nuk do të ndodhë prandaj është ende herët për të festuar. Kriza vazhdon dhe me sa duket do të përzgjatet me bojkot dhe protesta të opozitës. Edhe pse në deklaratë u tha që opozita duhet të hyjë në Parlament në mënyrë permanente, formulimi është i tillë që e kushtëzon me një hetim të plotë dhe kushtetues. Pra kemi një formulim që i jep opozitës të drejtën të kërkojë garanci për transparencë dhe hapje kutish si kusht për pjesëmarrje në punimet e Parlamentit. Vërejmë përsëri se nga gjuha e magjistricave të Makbethit e përdorur edhe nga delegacioni i KiE, të dyja palët gjejnë alibinë për të mos bërë atë që do pala tjetër. Prandaj e përsëris, që të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës shqiptare, miqtë tanë ndërkombëtarë duhet të mësojnë të flasin “shqip”, pa ekuivokë, ndryshe palët në krizë, do marrin nga këto thënie të turbullta, vetëm atë që ju përshtatet. Dhe shihet qartë se kjo po ndodhë përsëri. Gjithkush po merr nga deklarata e delegacionit të KiE atë nuancë apo detaj që i intereson pozicionit të vet.

Sokol Balla

1. Situata është mbërthyer në të njëjtën krizë si të disa muajve rresht. Asgjë nuk ndryshoi me ardhjen e shumëparalajmëruar të drejtuesve të Këshillit të Europës. Negociatat vishen me një vello misteri. E ndërsa është e qartë se me opozitën diskutimi ka qenë të futen apo jo në Parlament, me Berishën si ka qenë? çfarë është pyetur ai për hapjen e kutive? Këtë nuk e di asnjëri. Thelbi i kësaj krize është besimi mes palëve, dyshimet dhe akuzat e rënda për manipulim të votës brenda kutive. Delegacioni erdhi, iku dhe nuk tha asnjë fjalë për këtë. Bile e konsideroi indirekt jo thelb të problemit, por as edhe mjet për zgjidhjen e tij. Besoj zotërinjtë erdhën, ikën, morën dhurata nga shumica dhe birra në “Rogner” nga pakica dhe ikën mbrapsht. Dështimi i këtij misioni ndërkombëtar është një tjetër shenjë që dy liderët të maturohen dhe ta gjejnë zgjidhjen vetë mes tyre. Kjo edhe për një tjetër arsye: Të dy kanë vështirësi edhe brenda kampeve të tyre. E majta me LMN nëpër këmbë, që ka premtuar që do të futet këtë të enjte në Kuvend - një deklaratë që ata e përsërisin në mënyrë joserioze çdo javë po pastaj nuk e bëjnë. Të shohim nëse do ndodhë këtë të enjte. Edi Rama gjendet përballë presionit për të hyrë në Kuvend, por edhe atij për të mos i hequr opozitës armën e vetme që i ka mbetur, përballë një Berishe, si rrallëherë i vendosur të mos lëshojë pe. Kreu socialist gjendet në një rrugëtim të madh kryq: nëse ai merr vendimin për të hyrë në Kuvend, do t’i japë automatikisht fitoren Berishës dhe do të varrosë idealet e deklaruara për të ndryshuar historinë elektorale të Shqipërisë, me kërkesën e tij për hapjen e kutive. Pas këtij veprimi ai do të ngelet vetëm. Metistët do të ndiheshin triumfatorë, se kanë mbajtur pozicion radikal ndaj Ramës në këtë krizë. Blushistët do të pretendojnë se ishin ata që e sollën futjen në Parlament me presionin e tyre e më pas do të tentojnë ta heqin Ramën nga kreu i PS. Rama do të ishte vetëm pasi Ruçistët do ta braktisin, siç braktisi ai kauzën e tyre për të mos u tërhequr nga kërkesa për hapjen e kutive. “Kac”-islamistët do ta tallin. Do ta tallë edhe Berisha, që do jenë në të drejtën e Zotit kur t’u kujtojë deputetëve të majtë rrogat dhe privilegjet, që i shkëmbyen me kutitë. Me pas Ramën do ta braktisin të rinjtë, që do shohin punën e vet dhe do tentojnë një karrierë politike pa mbështetjen e Ramës brenda PS. Siç do shohin punën e vet edhe shumë faktorë të opinionit publik që kanë marrë kosto vitet e fundit, vetëm pse kanë menduar se modeli Rama është i konkurrueshëm me modelin “Berisha”. Dhe kështu, Edi Ramës do t’i mbetet veçse të numërojë ditët deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, në të cilat mund të zgjedhë të kandidojë e të humbasë, ose të iki kokulur. Dhe do të jetë në të dyja rastet një ikje pa kthim. Por dhe nga ana tjetër Berisha, nuk është se me këtë situatë, po ndihet mirë. Si politikan i vjetër ai priret nga kompromisi, por ka shumë mundësi t’i dorëzohet kësaj radhe krahut radikal. Ky krah me shtyrjen e Berishës larg kompromisit me të majtën, po realizon kështu fitoren e parë në rrugën për marrjen e kreut të PD-së, pas largimit të Doktorit. Sot, njerëzit më të lumtur në PD janë ata përreth Jozefina Topallit, ndërsa Lulzim Basha duhet të jetë i mbyllur në zyrën e tij edhe me keq se herët e tjera. Pasi Topalli kontrollon tashmë të gjitha drejtoritë kryesore të policisë në vend, krerët e të cilëve falen në zyrën e Jozefinës dhe nuk kanë asnjë shqetësim për shefin e tyre të drejtpërdrejtë, suksesi i vijës së ashpër të nënkryetares së PD në krizën aktuale, është një goditje thuajse përfundimtare për kandidaturën e moderuar për kreun e ardhshëm të selisë blu. Të dy liderët kanë kështu vetëm një mundësi të shmangin këto skenarë: Të takohen se bashku dhe të arrijnë një kompromis. Duke zhgënjyer mëtonjësit përkatës dhe duke dalë të dy të fituar. Dhe në fakt, kjo do ishte zgjidhja e arsyeshme. Si Berisha, si Rama përfaqësojnë direkt interesat e njerëzve që i kanë votuar. Pra, një kompromis mes tyre, mund të ishte jo i kënaqshëm për Blushin e Topallin, por shumë i pranueshëm për shumicën e shqiptarëve.

2. Ne kemi pritur që kjo të ndodhë, por ndërkombëtarët e sqaruan këtë në konferencën për shtyp: që nuk kanë ardhur dhe nuk kanë pasur qëllim vënien e gishtit të fajtorit. Ndoshta ky është i vetmi sukses që arriti kjo vizitë: të paktën nuk ra në nivelin e Grossruck në vitin 1996. Le ta quajmë këtë, një përparim.

Mimoza Dervishi

1. Situata politike është ajo që ishte, në krizë dhe delegacioni i Europës nuk arriti as t’i afrohej zgjidhjes së saj. Ata nuk propozuan asgjë të re apo të ndryshme nga ajo që kishte propozuar Berisha më parë dhe nuk e kuptoj pse duhet të zbarkonin në Tiranë me valixhe diplomatike. Po aq sa nuk e kuptoj pse nuk lanë, Erla Mëhillin ta lexonte deklaratën e tyre, do të ishte pa diskutim e njëjta gjë. Opozita është në të drejtën e saj të vazhdojë rrugën që ka nisur. Në fund të fundit, hapja e kutive nuk është e paligjshme, por është e drejtë elementare për transparencë dhe zgjedhje të ndershme në secilin prej vendeve nga vijnë anëtarët e delegacionit të KiE, dhe e vendeve të cilat ata na rekomandojmë se duhet të arrijmë. Por ai që është dëmtuar më shumë, nga kjo negociatë pa kokë, është pa diskutim institucioni i Presidentit. Bamir Topi ka dështuar qysh në konceptin elementar të drejtimit të një negociate. Që të thërrasësh një tryezë, të paktën duhet të marrësh disa garanci nga palët në radhë të parë, gjë të cilën ai nuk e arriti dot. Jo se shqiptarët kishin ndonjë besim të madh te një President që është peng i Berishës. Ai është zgjedhur mbi një standard amoral në atë post dhe është e kotë t’i kërkosh moral apo kurajë politike, një personi që kurrë nuk është shquar për protagonizëm apo për lider, duke shfaqur edhe njëherë natyrën e tij që nuk di t’i japë drejtim asgjëje, edhe gjërave më të thjeshta se kaq. Mendoj që situata do të agravohet më tej dhe ndërkombëtarëve do t’u duhet të vijnë sërish në Tiranë, pasi të kenë rënë dakord mes vetes në radhë të parë se ku qëndrojnë në lidhje me demokracinë dhe transparencën e zgjedhjeve në Shqipëri.

2. Mendoj se Shqipëria dëmtohet dhe humbet shumë nga kriza, e cila tashmë siç të gjithë e ndiejmë dhe e prekim nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike. Por, në një vështrim më të gjerë, të jemi realistë, opozita nuk ka çfarë të humbasë dhe qeveria është duke i humbur të gjitha, humbet një pushtet që dita-ditës po e provon se është ilegjitim, për aq kohë sa hapja e kutive i kall datën asaj. Kriza e përshkallëzuar, e shoqëruar me protestat e opozitës do të këtë ndikimet e saj në mbarëvajtjen e punës së qeverisë dhe presioni i Europës do të ketë pikërisht të bëjë me reformat që i duhen Shqipërisë për të ecur para. Ndaj, i takonte asaj të bënte lëshimet e duhura, sepse ajo duhet të jetë më e interesuara për zgjidhjen e kësaj krize. Këtë shans e ka humbur dhe opozita në një mënyrë apo tjetër do ta provojë që kjo qeveri jo vetëm është në pushtet me vota të pamerituara, por është në misionin e saj për të marrë pushtetin, ku kushti i vetëm dhe i panegociushëm duhet të jetë dhe them se do jetë, zgjedhjet me një qeveri teknike.

Ermal Hasimja

1. Situata është e rëndë, por më i rëndë është fakti se ndoshta synimi është pikërisht që të jetë e tillë, madje pse jo, por të rëndohet edhe më tepër. Për shkak të varësisë së legjitimitetit të elitës sonë ndaj ndërkombëtarëve mundësitë janë të mëdha që të gjendet një zgjidhje, mirë kjo ka koston e diskretimit të politikës sonë institucionale. Meqenëse qëndrimet janë diametralisht të kundërta dhe të papajtueshme, ka shumë mundësi që një zgjidhje eventuale do të jetë humbje (ndoshta dinjitoze) për njërën palë dhe fitore për tjetrën. Fatkeqësisht, zgjidhje të tilla lidhen me problemet parimore. Një qëndrim parimor nuk pranon konsensus e as kompromis dhe nëse do t’i qëndrojë vetvetes, atëherë p.sh. Rama duhet ta vazhdojë bojkotin deri në fund, përkundër ndërkombëtarëve dhe deri në diskreditimin përfundimtar të tijin dhe të partisë që përfaqëson dhe personifikon tashmë. Ajo që e bën të mundur një qëndrim të tillë është klientelizmi dhe mungesa e lidhjeve përfaqësuese reale mes partisë dhe elektoratit, sepse në kushte normale kostoja e lartë e një veprimi të tillë radikal do ta kishte demotivuar këdo parti serioze për aventura të tilla. Ky qëndrim është koherent në fakt me qëndrimet e mëparshme të politikave të papërcaktuara dhe boshe si ajo e “përtej së majtës e së djathtës”.

2. Natyrisht të humbur këtu dalin qytetarët e Shqipërisë, të cilët vazhdojnë të paguajnë faturën e papërgjegjshmërisë së përfaqësuesve të tyre mospërfaqësues. Kjo faturë rritet edhe më tepër pikërisht për faktin se vendi është shndërruar përsëri në një pacient politik të ndërkombëtarëve, duke rrënuar imazhin politik të vendit. Ajo që është pastaj më e keqja është pikërisht kërkimi i rrënimit të këtij imazhi për arsye politike sipas formulës “apres moi, le deluge”. Nga ana teknike është e qartë se PD-ja u tregua më e gatshme për zgjidhjen, por kjo lidhet edhe me pozicionin e saj të rehatshëm që kësaj radhe mbrohet nga Kushtetuta. Ndërkombëtarët nuk mund të mos e konstatojnë ketë. Por, në fakt, nuk ka shumë rëndësi çfarë thonë e mendojnë ndërkombëtarët. Në Shqipëri, gjërat nuk do të rregullohen, sepse duan ndërkombëtarët, por vetëm atëherë kur qytetarët të mos përsërisin votën e tyre për përgjegjësit e krizave të tilla.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›