Kompania: Kanë 3.2 miliardë lekë fatura të papaguara
Duke filluar nga sot, rreth 9600 institucione shtetërore (buxhetor dhe jobuxhetor) do të përballen me ndërprerjen e energjisë elektrike. Shkak është mospagesa e faturave për energjinë e konsumuar, duke i krijuar kompanisë një dëm financiar prej rreth 3.2 miliardë lekësh të reja. Aksioni do të nisë sot dhe për këtë qëllim, OSSH ka përgatitur të gjitha strukturat e kontrollit.
OSSH sqaron se ndërprerja e dritave bazohet në kërkesat e Deklaratës Rregullatore (firmosur me qeverinë-ERE) dhe kushtet e kontratës që ka me klientët e saj. “U kemi dërguar dje (dy ditë më parë) një letër informuese të gjitha institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, të cilat kanë borxh të akumuluar kundrejt kompanisë, duke i informuar ata që, nëse nuk i paguajnë detyrimet e tyre financiare brenda 72 orëve, nuk do të furnizohen me energji nga ora 9:00 deri në 13:00 çdo ditë për një afat të papërcaktuar”, njoftoi dje OSSH.
Pas disa letrave drejtuar debitorëve buxhetorë dhe jobuxhetorë në të gjithë vendin, OSSH deklaron se, ”nuk mund ta tolerojë më neglizhencën e tyre dhe për këtë arsye është e detyruar të ndërmarrë veprime të parashikuara në kontratën që përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilës palë”. Në këtë kuadër, që nga data 24 shkurt 2010, të gjitha institucionet që nuk do të paguajnë borxhet ndaj kompanisë, do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike çdo ditë nga katër orë në mëngjes.
OSSH po zhvillon mjete dhe hapa për menaxhimin e mbledhjes së borxhit dhe do të fillojë me debitorët e mëdhenj, por edhe të gjitha kategoritë e tjera. Hapat që do të ndërmerren do të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi.
OSSH dëshiron të kërkojë mirëkuptimin dhe mbështetjen e konsumatorëve dhe autoriteteve lokale në përpjekjen e saj për të siguruar cilësinë e shërbimit për klientët e saj dhe për t’i dhënë fund kohës kur ata që paguajnë, paguajnë dhe për ata që nuk paguajnë.
#