Masakra e Qafë-Gjashtës, dëshmon i pandehuri: Skam parë gjë, isha në bodrum
Një nga të akuzuarit si shkaktarët e masakrës së Qafë-Gjashtës në verën e vitit 1997, ku humbi jetën një punonjës policie dhe disa të tjerë u plagosën, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke shfajësuar veten. Para togave të zeza dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të organit të akuzës, Nestor Sinani tha se nuk ka gisht në këtë ngjarje, pasi gjatë shkëmbimit të zjarrit midis policisë dhe një grupi personash ai ka qenë në bodrumin e një pike karburanti.
“Ditën e ngjarjes kam qenë së bashku me vëllanë tim te karburanti. Ne punonin aty dhe atë ditë ka ardhur me makinë Armando Hyseni dhe Fatos Mahmutaj. Armandi zbret nga makina dhe thotë që po vijnë dy makina dhe kanë marrë peng Bubeqin bashkë me kunatin. Më pas Armando largohet dhe kanë ardhur dy makina. Një makinë ndalon në afërsi të karburantit dhe jashtë saj del një djalë që po thoshte: çuna mos kini frikë, se jemi vëllezërit tuaj. Ndërkohë që kam dëgjuar që është hedhur një granatë dhe ne jemi futur bashkë me vëllanë brenda në bodrumin e karburantit. Aty ishte edhe pronari, së bashku me djalin e tij. Nga vendi ku ne u futëm, nuk kemi pasur mundësi që të dëgjonim ndonjë gjë apo të shikonim se çfarë po bëhej jashtë. Vetëm dëgjoheshin zhurmat e krismave, dhe kemi qëndruar për disa minuta aty brenda. Më pas kemi dalë jashtë dhe pashë një makinë që po digjej dhe brenda saj ishte trupi i një personi”, tregoi Nestur Sinani. Sipas tij, jashtë ka qenë edhe një person i plagosur. “Vëllai im u afrua për të parë. E thirra Vladimirin dhe i thashë që të vinte dhe të mos rrinte aty, se nuk kishte punë. Më vonë ka ardhur një ambulancë dhe shkoi vëllai im që ta ndihmonte shoferin e ambulancës për të marrë trupin e personit të vrarë në ambulancë. Për gjestin që bëri vëllai im, u falënderua. Nuk e mbaj mend fare sesi ishin të veshur personat që ishin në makinë. Dhe nuk e di sesi ishin dhe personat që qëlluan. Nuk kam kontaktuar me këta persona. Di që nga ajo ngjarje një person mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur”, vijoi Nesturi, i cili tha se për të plagosurin e mori vesh nga njerëzit që thanë se kishin gjetur një person te muri, por ai pretendonte se nuk e ka parë.
“Di që mbas kësaj ngjarjeje është mbledhur e gjithë Saranda në një miting, por unë vetë nuk mora pjesë pasi nuk më pëlqente. Unë jam me Partinë Demokratike dhe i kisha inat ata njerëz që ishin në miting, pasi ata ishin ngritur për të rrëzuar qeverinë e atëhershme. Eduard Aliaj është i vetmi dëshmitar okular i ngjarjes dhe ai duhet të ishte thirrur si dëshmitar nga akuza, pasi ai mund të hidhte dritë mbi këtë ngjarje. Eduard Aliaj e kam parë në televizor, në mediat greke. Mua dhe tim vëlla nuk na kanë lënë që të largoheshim nga karburanti, pasi pronari trembej dhe kishte shumë frikë që të rrinte vetëm dhe ne na donte aty. Me Armand Hysin dhe Fatos Mahmutajn nuk jam takuar më pas asaj ngjarje, pasi nuk më lidhte gjë me ta”, përfundoi dëshminë Nestor Sinani.
#