E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët, në shesh ndaj dhunimit të shatërvanit

Rasti Monumenti i vitit 1923 u hoq nga Instituti i Monumenteve të Kulturës

Specialistë, intelektualë, dashamirës të trashëgimisë kulturore do të takohen nesër për të protestuar kundër heqjes së shatërvanit të vitit 1923. Katër ditë më parë, me urdhër të Institutit të Monumenteve të Kulturës, fadromat kanë shkulur shatërvanin e ndërtuar në lulishten popullore para Parlamentit. I gjithë ky veprim është bërë në kuadër të rikonstruksionit të rrugës pranë rrënojave të kalasë së Tiranës. Projekti i shumëkontestuar ka përfshirë së fundmi edhe prishjen e këtij shatërvani të ndërtuar më 1923, monument kulture nga viti 2000. Në një reagim të tijin, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, ka thënë se para një muaji ky shatërvan është hequr nga lista e monumenteve të kulturës, sepse nuk paraqiste vlera. Ndërkohë, pas denoncimit në media të dhunimit të këtij monumenti, specialistë dhe dashamirës të trashëgimisë do të dalin kundër këtij vendimi në vendin ku ndodhej ish-shatërvani. I iniciuar nga Artan Lame, njëkohësisht edhe drejtues i Qendrës Shqiptare të Trashëgimisë, ky takim do të mbledhë sërish një pjesë të përfaqësuesve që vetëm një javë më parë u mblodhën në një tryezë për të mbrojtur trashëgiminë. Njoftimi bën të ditur se nuk do të ketë fjalime të posaçme, por secili prej përfaqësuesve do të mund të flasë për këtë akt dhune ndaj një monumenti.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›