Negociatat për Presidentin e ri, Berisha: Karnaval i vërtetë! Vazhdim i marrëveshjeve të dështuara të Bashës

“Një karnaval i vërtetë”, kështu e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha dështimin e marrëveshjes mes opozitës dhe maxhorancës për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Nga Vlora, ku do përmbyllë fushatën për zgjedhjet për kryetar të PD-së, Berisha u shpreh për mediat se ky proces është vazhdimi i marrëveshjeve “të dështuara” të ish-kryedemokratit, Lulzim Basha.
“Një karnaval i vërtetë, një vazhdim i marrëveshjeve të dështuara që nga viti 2017 deri më sot të Lulzim Bashës dhe këto që shihni ju nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i atij seriali, por këtë herë edhe më tragjikomik dhe më i neveritshëm se çdo proces tjetër”, tha Berisha.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, anulo mbledhjen e grupit për emrat e kandidatëve që do të propozoheshin për presidentin e ri, duke akuzuar Partinë Socialiste se ka prishur marrëveshjen e rënë dakord mes tyre. Sipas Alibeajt, ata kishin rënë dakord se do të çonin në mënyrë konsensuale 1 emër në Kuvend dhe se PS e shkeli këtë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u përgjigj se nuk ka patur një marrëveshje të tillë dhe se PS nuk do të mbështesë me firmat e saj kandidatët e opozitës.
/rtsh.al/