E Hënë, 2 Nëntor 2026

Negociatori rus: Bisedimet me SHBA-në për Ukrainën, intensive dhe të dobishme. Po shqyrtohet përfshirja e OKB-së

Rusia ka njoftuar se do të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara për të diskutuar për një armëpushim të luftës në Ukrainë dhe ka shprehur shpresën për të përfshirë Kombet e Bashkuara dhe vende të tjera në këtë proces.

Grigory Karasin, negociatori i ekipit rus, tha se diskutimet e zhvilluara të martën ishin intensive dhe të dobishme, megjithëse theksoi se shumë çështje ende mbeten të pazgjidhura.

“Ne folëm për gjithçka. Ishte një diskutim intensiv, jo i lehtë, por shumë i dobishëm për ne dhe amerikanët,” tha Karasin për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, duke shtuar se “u diskutuan shumë çështje dhe se ende mbetet shumë për të bërë”.

Ai gjithashtu theksoi se, megjithëse nuk është arritur një marrëveshje për të gjitha pikat, ky lloj diskutimi është shumë i nevojshëm dhe ka ardhur në kohën e duhur.

Karasin, një nga senatorët në Këshillin e Federatës të Dhomës së Lartë të Rusisë, shpjegoi se Moska synon të zgjeronte bisedimet për të përfshirë komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë Kombet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera, por ai nuk dha detaje të tjera mbi këtë çështje.

Komentet e tij pasuan një raund 12-orësh bisedimesh mes negociatorëve amerikanë dhe rusë, të cilat u zhvilluan në Riad të Arabisë Saudite. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur dëshirën për një zgjidhje të shpejtë të luftës në Ukrainë dhe ka shpresë se bisedimet e fundit mund të çojnë në përparim konkret.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›