E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, qeveria: Shtyhet me 3 muaj

TIRANË- Qeveria vendos të shtyjë me tre muaj amnistinë fiskale për të gjitha kategoritë. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave dhe është argumentuar me fluksin e madh të kërkesave pranë zyrave përkatëse.

Ministrat miratuan aktin normativ për një ndryshim në ligjin nr. 10 418, Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor.

Miratimi i këtij akti ka të bëjë me shtyrjen për një periudhë tremujore të amnistisë fiskale, nga data 31 dhjetor 2011 deri më 31 mars 2012, për të gjitha kategoritë e të drejtave të parashikuara në ligjin e amnistisë fiskale për individë dhe biznese- thuhet në deklaratën e qeverisë.

Sipas vendimit, përfshihet shtyrja e afatit për ushtrimin e së drejtës për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme të individëve apo e së drejtës së bizneseve për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore.

Nevoja për të ndryshuar afatin ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave të qytetarëve, veçanërisht gjatë muajit dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›