Nëna e lëndimeve

Me siguri nuk e keni harruar Bekim Kastratin - sulmuesin kosovar, i cili pati bërë ‘bum’ në edicionin 2005/2006, duke u aktivizuar në Bundesligën gjermane me skuadrën Borussia Monchengladbach.
Mirëpo, nga vitin 2006, karriera e kosovarit ka marrë teposhtëzën. Ai sot luan në Regionalliga West (liga e katërt gjermane) me skuadrën Wuppertaler. E, fajtor për këtë janë lëndimet e shpeshta dhe goxha të rënda.
Pas transferimit nga Borussia Monchengladbach në Eintracht Braunschweig, ish-reprezentuesi i Shqipërisë në fillim të sezonit pësoi një lëndim të rëndë, duke këputur ligamentet e gjurit të majtë, lëndim i cili e kishte lënë atë jashtë fushës së gjelbër rreth shtatë muaj.
Me t’iu rikthyer fushës së blertë nga ky lëndim, Kastrati e pati pësuar edhe një lëndim të natyrës së njëjtë, por në gjurin e djathtë. “Ato dy lëndime të njëpasnjëshme më patën kthyer shumë, shumë hapa mbrapa”, tha Kastrati për Express.
Këto lëndime ia pamundësuan pejanit që ta ndihmojë Eintracht Braunschweigun, i cili ra nga Bundesliga 2. Në vitin 2007 sulmuesi shtatlartë u transferuar në Fortuna Duesseldorf, atëbotë anëtare e ligës së tretë gjermane, por as në këtë skuadër Kastratin nuk e lënë rehat lëndimet.
Pasi e kishte tejkaluar lëndimin e dytë, menjëherë ai kishte pësuar një lëndim tjetër në testite, në ndeshjen miqësore ndërmjet Fortunës dhe Bayern Munchenit. Edhe këtë lëndim, Kastrati e kishte tejkaluar disi.
Por, kur nuk ta do, nuk ta do! Kur të gjithë mendonin se Kastrati ka nisur të këndellet, ai qe lënduar sërish. Kësaj here e kishte dëmtuar gishtin e madh të këmbës. Pavarësisht faktit se dy lëndimet e para ishin shumë më të rënda, lëndimi i gisht të këmbës e kishte nervozuar shumë Kastratin.
Ky i fundit kujton se për shkaku të atij lëndimi nuk kishte mundur të vazhdojë kontratën me Fortuna Duesseldorfin, pavarësisht faktit që luante mirë me këtë ekip, sa herë që nuk vuante nga lëndimet.
Por, ky lëndim ia kishte rrezikuar seriozisht karrierën Kastratit. “Ai lëndim më pati kushtuar shumë. Më pati kushtuar edhe me nerva koke, sepse qeshë kontrolluar te pesë mjekë. Katër nga ta më patën thënë ta lë futbollin. Por, mjeku i Kombëtares gjermane ma gjeti një terapi për një vit dhe vazhdova futbollin”, deklaroi ai.
Kështu, për Kastratin ishte e pamundur të vazhdojë kontratën me Fortuna Duesseldorfin dhe në edicionin 2009/2010 u detyrua të kalojë në Dynamo Dresden, anëtare ligës së tretë gjermane.
Por, aty nuk qëndroi gjatë dhe në vitin 2010 shkoi në ligën e katër gjermane te skuadra Bonner SC. Edhe këtu nuk qëndroi gjatë për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kishte me trajnerin e këtij ekipi dhe u transferua tek ekipi tjetër i kësaj lige, Wuppertaler, ku luan edhe sot.
Por, lëndimet vazhdojnë ta ndjekin Kastratin edhe sot. “Para pak kohësh, në një dyluftim në ajër me një lojtar, kam pësuar një lëndim në vesh, përkatësisht dëmtova timpanin e veshit”, tregoi ai.
Këto janë vetëm disa nga ‘taksiratet’ që e kanë zënë Kastratin gjatë karrierës së tij, andaj ai me të drejtë thotë: “Më shumë kam qëndruar në qendra rehabilitimi sesa në fusha të futbollit”.
Kastrati është i bindur se sikur të mos e përcillnin këto lëndime, sot të paktën do të ishte duke luajtur në Bundesliga 2. Megjithatë, edhe pse sot luan në ligën e katërt, ai është i kënaqur me faktin që dikur kishte arritur në maje të futbollit.
“Kur e kthej kokën mbrapa dhe shikoj ku kam qenë, atëherë mburrem me karrierën time, ani pse fati deshi që lëndimet mos të më lënë rehat”, vazhdoi ai.
Megjithëkëtë, sulmuesit kosovar asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja të pensionohej nga futbolli. Futbollisti, i cili karakterizohej me teknikë të përsosur, thotë se do të vazhdojë të luajë futboll, pasi pohon se pa këtë sport nuk mund të jetojë.