Viti sportiv

Çdo vit është i pasur me programin e tij sportiv, mirëpo 2010-ta ishte më e veçantë në këtë aspekt. U zhvillua Kampionati botëror në futboll dhe ai në basketboll, ndërsa ishte viti i Olimpiadës dimërore në Vancouver.
Futboll
Andres Iniesta shënoi golin e fitores 1-0 në lojën shtesë kundër Holandës, derisa Spanja fitoi Kampionatin botëror në futboll, të zhvilluar për herë të parë në kontinentin afrikan. Afrika e Jugut ishte nikoqir i garës më të rëndësishme në futbollin botëror, ku triumfoi Spanja për herë të parë në historinë e saj.
Pozita e tretë i takoi Gjermanisë, e cila mposhti Uruguain 3-2. Në shkallën e klubeve dominoi Interi. Nerazzurrët rrëmbyen Ligën e Kampionëve, Scudetton, Kupën, Superkupën e Italisë si dhe përmbyllën vitin duke triumfuar në Kampionatin botëror të klubeve. Barcelona e mbrojti titullin në La Liga ndërsa Chelsea festoi në Premierligë.
Bayern Munich ishte mbret i Bundesligës, ndërsa pas një kohe të gjatë Olympique Marseille u bë kampion i Francës. Superkupa e Evropës i takoi Atletico Madridit. Më 2 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s votoi dhe përcaktoi nikoqirët e Kampionateve botërore 2018 dhe 2002. Për herë të parë u zgjodhën dy shtete të cilat asnjëherë më parë nuk kanë qenë nikoqire. Botërori 2018 i takoi Rusisë, ndërsa gara e vitit 2022 do të zhvillohet në Katar.
Basketboll
Nga 28 gushti deri më 12 shtator, në Turqi u zhvillua Kampionati botëror në basketboll. Triumfuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në finale mposhtën nikoqirin, Turqinë, ndërsa pozita e tretë i takoi Lituanisë.
Në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA, titulli i kampionit i takoi Los Angeles Lakers, të cilët në serinë finale mposhtën Boston Celtics dhe ngritën trofeun e tyre të 16-të në histori të klubit. Barcelona fitoi Euroligën.
Formula 1
Në njërin prej sezoneve më interesante në histori të këtij sporti, gjermani Sebastian Vettel fitoi titullin e kampionit të botës në Formula 1, në një finale dramatike të edicionit.
Ngasësi i Red Bullit fitoi garën e fundit të sesonit në Abu Dhabi dhe përfitoi nga rezultati i dobët i deri atëherë liderit Fernando Alonso në Ferrari i cili doli i shtati, dhe siguroi titullin e tij të parë në karrierë si dhe të parin për ekipin e tij që mori edhe titullin në kategorinë e konstruktorëve.
Gara për titull ishte jashtëzakonisht interesante dhe në të deri në xhiron e fundit ishin të përfshirë Alonso, Vettel, Lewis Hamilton dhe Mark Webber.
Lojërat Olimpike Dimërore
Kanada përfundoi pritjen e tyre të gjatë për medalje të artë si nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore dhe atë në një mënyrë të jashtëzakonshme duke përfunduar në krye të renditjes së shteteve pjesëmarrëse me numrin më të madh të medaljeve të arta.
Kanada mori 14 medalje të arta, shtatë të argjendta dhe pesë të bronzta mirëpo Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëhoqën me total prej 37 medaljeve. Norvegjia kishte atletin më të suksesshëm, skiatorin Marit Bjoergen (3-1-1).
Boks
Më 20 mars, Wladimir Klitschko nokautoi Eddie Chambersin dhe për herë të katërt mbrojti titullin e tij të kampionit të versionin WBO ndërsa titujt IBF dhe IBO, për herë të tetë. Më 10 prill, Evander Holyfield në moshën 47 vjeç nokautoi Francois Bothan në raundin e tetë dhe fitoi titullin në versionin WBF.
Më 11 shtator, Wladimir Klitschko mposhti Samuel Peterin për herë të dytë në përsëritje të përballjes së vitit 2005. Vladimir Klitschko njësoj si vëllai i tij mbrojti me sukses titullin e kampionit në versionin WBC duke mposhtur Albert Sosnowskin dhe Shannon Briggsin. Britaniku David Haye po ashtu mbrojti titullin e tij në versionin WBA me fitore ndaj sfiduesve John Ruiz dhe Audley Harrison.
Tenis
Roger Federer triumfoi në Australian Open ndërsa në konkurrencën e femrave titulli i takoi Serena Williamsit. Në Roland Garros, fitoi Rafael Nadal ndërsa te femrat befasoi italiania Francesca Schiavone. Në Wimbledon, Nadal ngriti Grand Slam trofeun e tij të dytë të sezonit njësoj si Serena Williams. Nadal e festoi të tretin në US Open, ndërsa Kim Klijsters fitoi titullin te femrat.
Çiklizëm
Nga 3-25 korrik u zhvillua gara më e madhe në sportin e çiklizmit, Tour de France. Spanjolli Alberto Contador fitoi për herë të tretë pas një dueli të fortë me Andy Shleckun nga Luksemburgu. Mirëpo, triumfi i fundit i Contadorit është vënë në dyshim pas akuzave se ai ka marr substanca të palejuara meqë ka dalë pozitiv në një test dopingu gjatë një etape në Tour de France.