Ndarja e shtrenjtë

Gjatë vitit, në botën e sportit ndodhin ndarje të shumta, por ka prej tyre që janë më të veçanta dhe mjaft të kushtueshme.
Për shembull, shkurorëzimi i Tiger Woodsit me bashkëshorten e tij, Elin Nordegren, ka hyrë në histori të sportit, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi, si njëra prej më të shtrenjtave.
Në fakt, golfisti amerikan, njëherësh njëri prej sportistëve më të mirë në botë, është dashur t’i nxjerrë nga llogaria e tij plot 100 milionë dollarë, si dëmshpërblim për tashmë ish-bashkëshorten e tij, me të cilën ishte ndarë më 23 gusht të vitit 2010 në gjyqin ‘Bay County Circuit Court’, të Panama Cityt në Florida.
Shkak i shkurorëzimit të çiftit në fjalë ishin tradhtitë e njëpasnjëshme të golfistit më të mirë në botë, që ia kishte bërë gruas së tij. Këto tradhti kishin filluar të bëheshin publike nga femrat me të cilat pati punë amerikani, qysh në dhjetor të 2009, për të vërshuar më pas njëra pas tjetrës.
Amerikani Woods dhe suedezja Nordegren, të martuar në tetor të vitit 2004 në Barbados, kanë dy fëmijë: vajzën katërvjeçare, Sam dhe djalin dy vjeç, Charlie.