E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, 6 vjet nga lumturimi i saj

Të gjitha institucionet kulturore në vend kanë organizuar dje veprimtari artistike në kuadrin e Festës Kombëtare të Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës

Dita e djeshme ka shënuar 6-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës. Më 19 tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II organizoi lumturimin e humanistes shqiptare, Nënë Tereza në Vatikan. Nobelistja shqiptare u lumturua “Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin”, duke hedhur kështu hapin e parë drejt shenjtërimit të plotë të saj.
Një sërë veprimtarish kulturore dhe artistike janë zhvilluar dje në kuadër të festimeve të ndryshme, me rastin e “Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës”.
Në kujtim të një figure të tillë ndërkombëtare, siç është Nënë Tereza, Teatri Kombëtar ka shfaqur dje premierën “Banorët e Katit të V-të”, vepër e dramaturgut shqiptar Kin Dushi, vënë në skenë nga regjisorja Sonila Kapedani. Ndërkohë edhe Teatri Kombëtar i Operas, Baletit së bashku me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore kanë organizuar  paraditen e ditës së djeshme një koncert me pjesë të zgjedhura klasike. Ky aktivitet është mbajtur në hollin qendror të institucionit, në të cilën kanë interpretuar disa nga solistët më të mirë.
Arkivi Qendror i Filmit, (AQSHF), ashtu si çdo përvjetor tjetër ka organizuar edhe këtë vit, në kuadër të manifestimit “Shën Tereza e Shqiptarëve” shfaqjen e dy filmave dokumentarë në kinemanë e institucionit. Një prej këtyre prodhimeve është shfaqur në datën 18 tetor, ndërsa sot, është planifikuar edhe një tjetër projektim, duke filluar nga ora 12.00, me nxënësit e shkollave të mesme, si dhe të ftuar të tjerë. Ndërsa dy ditë më parë për 50 minuta është shfaqur filmi dokumentar mbi figurën e së lumes "Nënë Tereza", prodhim i DEA Film, me financim të QKK dhe TVSH. Regjia e këtij dokumentari i takon Kujtim Gjonaj. Por ky prodhim nuk do të jetë i vetmi që do të shfaqet për publikun shqiptar, në kuadër të këtij aktiviteti në fjalë. Mesditën e së martës, sot, po në sallën e AQSHF do të projektohet filmi tjetër dokumentar "Aleluja!". Me një kohëzgjatje rreth 15 minutash, ky është një prodhim i Albafilm Studio i vitit 1992, me regji të Kristaq Mitros. Një tjetër film që do të projektohet është edhe filmi dokumentar "Kardinali i parë shqiptar" mbi figurën e Mikel Koliqit. Prodhim i Albafilm Studios, me regji të Rikard Ljarjas me një kohëzgjatje prej 30 minutash.
Galeria Kombëtare e Arteve ku nuk kanë munguar aktivitetet në përkujtim të kësaj dite. Ajo gjatë gjithë ditës së djeshme ka qenë e hapur dhe me orar të zgjatur. Në këtë mënyrë, gjithë të interesuarit kanë mundur të vizitojnë 6 sallat e linjës së GKA dhe njëkohësisht dhe ekspozitën fotografike "Jordi SOCIAS", e çelur në bashkëpunim me Shoqërinë Shtetërorë Kulturore të Jashtme të Spanjës dhe Ambasadës së Spanjës në Shqipëri.
Të veçanta kanë qenë dje edhe aktivitetet që u organizuan nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve. Ideja e programit në QKKF mbështetej në ndërthurjen dhe përforcimin e të gjitha gjinive artistike që zhvillohen në këtë qendër. Në skenën e TKK-së zbriti një shfaqje për fëmijë që i kushtohej kësaj dite festive. Piktorët e vegjël, të frymëzuar nga puna dhe figura e Nënë Terezës, kanë hedhur në tejkalo piktura në formate të ndryshme në ambientin para TKK. Gjithashtu, kori i fëmijëve ka performuar një repertor të larmishëm të këngëve për fëmijë. Balet klasik, valle tradicionale dhe poezi kushtuar punës dhe veprës së kësaj shenjtoreje kanë shoqëruar këtë program në nderim të figurës së saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›