E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Terezën e pengon ligji i vendit të saj

Një nga shkrimet e para në shtypin shqiptar që flet për Nënë Terezën, në një kohë kur ajo kishte aq shumë nevojë për përkrahje dhe lutej vetëm që të na ndihmonte. Mburren sot me të kur ajo s'ka nevojë për asnjë përkrahje. Donika Omari, autorja e këtij shënimi në vitin 1991, të nesërmen e ceremonisë së dhënies së çmimit të Republikës Nënë Terezës, ndërmori një peticion në mbështetje të hapjes së shtëpive të bamirësisë në Shqipëri drejtuar qeverisë së kohës së diktaturës.


Po këmbëngulet gjithnjë e më shumë për të pasur në shtypin tonë një informacion më të plotë, sidomos për ngjarjet e rëndësishme, dhe një ngjarje e shënuar e vitit që shkoi qe ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri dhe dekorimi i saj me rastin e 80- vjetorit me Urdhrin "Naim Frashëri". Në shtyp u njoftua për vizitat e takimet e Nënë Terezës, për ceremoninë e dekorimit, por nuk u pa e nevojshme të riprodhohej fjala e saj e përshëndetjes, një fjalë e shkurtër, por plot domethënie njerëzore, dhe ku, ndër të tjera, ajo bëri kërkesën për të hapur një shtëpi bamirësie në Shqipëri. Jo më kot ajo rikujtoi se ka hapur shtëpi të tilla në të gjitha vendet, duke përmendur veçan vendet fqinje me ne. Jo më kot theksoi vajtjen madje edhe në Kubë.


Jo më kot njoftoi se i kish sjellë motrat mu këtu pranë nesh e po prisnin në Romë lejen për të filluar menjëherë nga puna. Të gjitha këto argumente të diktuara nga dëshira dhe energjia e saj e pashtershme për të qenë e dobishme e për të shërbyer, me sa duket nuk vlejtën që të merrte një përgjigje pozitive. Ndoshta mendohet se kërkesa e saj është e parakohshme, se duhet të miratohen më parë dekrete e ligje të caktuara. Sidoqoftë, si qytetarë, kemi të drejtë të dimë lidhur me këtë dhe të shprehim mendimin tonë. Dhe le të kemi parasysh se një gruaje kaq heroike si Nënë Tereza nuk i mohohet gjë dhe nuk bën t'ia thyejë zemrën tamam vendi i saj.
Rilindja Demokratike 12.01.1991


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›