E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër njerëz kapërcejnë kohën

Festivali i Filmit në Durrës nderon me çmimin e karrierës Dhimitër Xhuvanin, Bekim Fehmiun, Agim Qrijaqin dhe Tinka Kurtin. Atribut filmit shqiptar me retrospektivë homazh

Katër shqiptarë dhe artistë të kinemasë sonë nderohen sonte në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës. Vetëm njëri prej tyre ngjitet në skenë për të tërhequr trofeun. Jo se tre të tjerët kanë harruar të jenë mirënjohës, por tani u takon të tjerëve të jenë mirënjohës për veprën e tyre. Sonte, ora 20.30 në skenën e festivalit, në amfiteatrin romak, nderohen me çmim karriere Dhimitër Xhuvani, Agim Qirjaqi, Bekim Fehmiu dhe Tinka Kurti. Shumë shpejt atmosfera e natës së parë vishet me të tjera ngjyra. Kjo ndodh në orën 21.30, kur në ekran shfaqet "La Vie En Rose" (2007), i regjisorit francez Oliver Dahan. Aktorja Marion Cotillard rrëfen për dy orë jetën e personazhi të jashtëzakonshëm të shekullit të njëzet, e një zëri të dashur të muzikës franceze, Édith Piaf (1915-1963). Jeta e një gruaje, me nënë të alkoolizuar, që e preku famën shumë herët, por gjithë jetën shoqërohet nga alkooli dhe dhimbjet e zemrës.


Seksioni "Homazh Retrospektivë" i edicionit të tretë të Festivalit të Filmit në Durrës i kushtohet kinemasë shqiptare. Aty shfaqen filma të Xhuvanit, Qirjaqit dhe Kurtit. Në nderim të punës së Xhuvanit skenarist shfaqet filmi dokumentar "Bistricë '63", me regji të Viktor Gjikës (1964), "Mëngjese lufte" (1971) me regji të Kristaq Dhamos dhe "I dashur armik" (2004) i Gjergj Xhuvani. Në dy filmat e fundit, shkrimtari i është drejtuar temës së Luftës së Dytë Botërore. Në dokumentarin "Bistricë '63", në kohë lufte të djemve të vegjël që nuk lënë dy gurë bashkë, Gurin, Piron, Milon, Tomin. Ngjarjet vendosen në Luftën e Dytë Botërore në qytet të vogël në jug të Shqipërisë. Djemtë përfshihen rastësisht në një aksion kundër dy gjermanëve që po lahen në liqen. Luajnë: Rauf Pojani, Fatmir Dika, Edmond Papa, Franc Dushi, Sandër Prosi, Pandi Raidhi etj. Në "Retrospektivë-Homazh", nga krijimtaria e viteve të fundit të Xhuvanit e cila u ndërtua në bashkëpunim me të birin, regjisorin Gjergj Xhuvani, shfaqet "I dashur armik" (2004). Lufta e Dytë Botërore: kapitullimi i Italisë fashiste, pushtimi nazist dhe zbritja nga malet në qytet e "pushtuesit" vendas, partizanëve komunistë.


Tregtari Harun kishte fshehur në shtëpi një ushtar italian, një partizan të plagosur, kishte ndihmuar një ballist e një çifut dhe kishte pritur në shtëpi një oficer gjerman. Lufta mbaron, Harunit i vihen prangat dhe akuzohet si bashkëpunëtor me armikun. Dhimitër Xhuvani ((1934-2009) shkrimtar dhe skenarist. Debutoinë letërsi me librin me tregime "Kambanat e fundit" (1958) dhe me një të dytë më pas, "Midis dy netëve". Viti 1966 shënon një ngjarje në jetën e autorit: romani i tij "Tuneli", një përpjekje për të dhënë Shqipërinë reale të kohës, i kushtoi autorit largimin nga Tirana dhe punën e detyruar riedukuese në Cërrik dhe në fshatra. Kthimin pranë familjes në Tiranë ai "e bleu" me romanin e "Përsëri në këmbë" (1970) homazh për një hero të punës socialiste, Din Hyka. Në vazhdim boton "Zgjimi i Nebi Surrelit" (1976), "Do të jetojmë ndryshe" (1979), "Vdekja e zotit Kaloti" (1981), "Bota ime" (1984) etj. Pas viteve '90 Xhuvani shkruan skenarët e filmave: "Dashuria e fundit", "Slogans", "I dashur Armik", "Lindje-Perëndim-Lindje", të gjithë të realizuar nga Gjergj Xhuvani.


Në kujtim të aktorit Agim Qirjaqi (1950-2010) në seksionin e Retrospektivës shfaqen "Kolonel Bunker" me regji të Kujtim Çashkut dhe "Dasma e Sakos" me regji të Vladimir Priftit. Ai dha një lojë të shkëlqyer tek i pari, me personazhin dramatik të gjeneralit Muro Neto i ngarkuar në vitin 1974 të bunkerizojë bregun e Shqipërisë. Spikat tek ky rol aftësitë më të mirë të Qirjaqit aktor: inteligjenca, ndjeshmëria, intuita, forca e brendshme. Në një dimension krejt tjetër, komik, shfaqet ai te "Dasma e Sakos". Kontributi i Qirjaqit në film nuk mund të ndahet nga ajo çka i dha teatrit në dy epoka para dhe pas viteve nëntëdhjetë, qoftë si aktor i Teatrit Kombëtar, si regjisor novator, si përkthyes, po edhe si mësimdhënës i të rinjve në Akademinë e Arteve. Interpretoi në filmat "Rrugë të bardha" i Viktor Gjikës (Profesori) dhe "Lulëkuqet mbi mure" i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës).


Në vitet '80, regjisor në TVSh, realizon filmin televiziv "Dorina", ku ai shfaq ide të përparimtare për pozicionin e gruas në familje dhe shoqëri. Vitet '89 e gjejnë në Milano e Romë, ku kryhen trajnim 2-vjeçar pranë Giorgio Strehler në "Il Picolo Teatro" të Milanos dhe pastaj në Teatrin Eliseo të Romës. Pas specializimit, shfaq më 1992 në Teatrin Kombëtar "Rikardi III" të Shekspirit, "Fando e Lis" të Arabalit, "Këngëtarja tullace" të Joneskos, "Armiku i Popullit" i Ibsenit. Në seksionin e homazhit nderohet një tjetër emër i njohur që nuk është më qysh prej tre muajsh, aktori Bekim Fehmiu (1936-2010). Fehmiut i jepet Çmimi i Karrierës, që mund të tërhiqet nga një prej familjarëve. Kontributi i Fehmiut në kinema shtrihet në tri drejtime gjeografike: në kinemanë e ish-Jugosllavisë, kinemanë evropiane dhe amerikane. Prandaj ai është ndër fare pak aktorë të rajonit që gëzoi famë të vërtetë ndërkombëtare. U bë i njohur me "Mbledhësi i puplave" (1967) i regjisorit Aleksandar Petrovic-it, me rolin e ciganit Bora. Filmi u vlerësua me "Palmën e Artë" në Kanë dhe u emërua për "Oscar" më 1968.


Personazhet e mishëruar prej tij janë profile të antikitetit grek si Uliksi në telefilmin "Aventurat e Uliksit" me regji të Franco Rossit (1969), apo të university biblik si te "Një fëmijë me emrin Jezus" (1989) po me regji të Rossit. Trofeu i katërt që Festivali i Filmit jep për protagonistë të kinemasë shqiptare, është për aktoren Tinka Kurti (1932). Përveç një çmimi karriere, për nder të saj shfaqet filmi "Tana" (1958), me regji të Kristaq Dhamos, i pari film shqiptar me metrazh të gjatë. Kurti ka përkrah Naim Frashërin, Pjetër Gjokën, Kadri Roshin, Andon Panon, Thimi Filipin, Marie Logorecin, Violeta Manushin etj. Karriera e saj nis në moshën 14- vjeçare, në Teatrin Amator të Shkodrës. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e teatrit "Migjeni" të qytetit. Në kinema mbahet mend me rolet e Nënë Pashakos te "Yjet e netëve të gjata" (1972), Nënës te "Çifti i lumtur" (1975), Sinjorina Mançini te "Vajzat me kordele të kuqe" (1978), Gjyshja te "Zemra e nënës". Hera e fundit në skenë për Kurtin ishte pranverën që shkoi në dramën "Koleksioni i përhershëm" me regji të amerikanit Clarence Gilyard. Këto janë çmimet që jepen për të nderuar njerëz që kanë lënë gjurmë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›