E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënkryetar i KLD, Kreshnik Spahiu në hetim për shpërdorim detyre

Kreshnik Spahiu

Prokuroria regjistron procedimin penal për financimin e Aleancës Kuq e Zi nga KLD pas padisë së Alibeajt.

KLSH s`bëri kontroll para 2012, hetohet financimi i AK nga arka e KLD.

Prokuroria regjistron procedim penal për “shpërdorim detyre” ndaj ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Pas një periudhe 2-javore të verifikimit paraprak mbi kallëzimin e bërë nga Komisioni hetimor Parlamentar i drejtuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj, organi i akuzës ka vendosur regjistrimin e procedimit penal. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se përveç faktit të regjistrimit të kësaj dosjeje si procedim penal, nuk mund të bëjnë të ditura fakte të tjera. Ndërkohë mësohet se objekti i hetimit të Prokurorisë është vetëm pjesa e “shpërdorimit të detyrës” në përdorimin e mundshëm të financave të KLD-së për aktivitetet e Aleancës Kuq e Zi, dhe jo deklaratat apo qëndrimet që Spahiu ka mbajtur ndaj censusit apo çështjeve të tjera. Më 1 mars 2012, Komisioni hetimor Parlamentar, pa argumentet e Kreshnik Spahiut, publikoi raportin përfundimtar të hetimit, i cili iu dërgua për dijeni edhe Prokurorisë. “Janë dokumentuar rreth 30 aktivitete të Aleancës Kuq e Zi për periudhën mars 2011-janar 2012. Në këto aktivitete z. Kreshnik Spahiu paraqitet me cilësinë e organizatorit, drejtuesit apo kryetarit të organizatës “Aleanca Kuq e Zi”, ka theksuar kreu i Komisionit hetimor Parlamentar, zoti Enkelejd Alibeaj. Raporti i bërë publik prej tij iu dërgua Prokurorisë me kërkesën për ndjekje penale, ndërkohë që paralelisht me Komisionin hetimor, edhe KLSH filloi kontrollet në KLD për veprimtarinë ekonomiko-financiare.
Hetimi
Raporti i Komisionit hetimor Parlamentar mbërriti disa ditë pas publikimit në Prokurori. Më tepër se dy javë pas marrjes në dorëzim të materialit, njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës mësohet se ka regjistruar procedim penal për padinë e bërë ndaj Kreshnik Spahiut. Objekti i hetimit është shpërdorimi i mundshëm i detyrës nga personi i kallëzuar. Burimet e hetimit thanë se objekt i verifikimeve është raporti mes financave të KLD-së dhe veprimtarive të Aleancës Kuq e Zi. Hetuesit thanë se kanë kërkuar informacion nga KLSH-ja nëse ka pasur kontrolle në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në 2-3 vitet e fundit dhe kanë marrë përgjigje se kontrolle të tilla nuk ka pasur. I vetmi kontroll i ushtruar ka qenë ai i periudhës shkurt-mars 2012, kohë kur praktikisht nënkryetari i KLD-së kishte deklaruar dorëheqjen e pritshme, pas replikave me deklarata me përfaqësuesit e maxhorancës. Pas regjistrimit të procedimit penal për shpërdorim detyrë, Prokuroria tha se është duke verifikuar nëse paratë e dala nga KLD-ja për shpenzime të aktiviteteve të ndryshme të ish-nënkryetarit janë përdorur për Aleancën Kuq e Zi. Objekt i hetimeve mësohet se janë disa vizita jashtë Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni dhe SHBA (Nju Jork) nga ana e Kreshnik Spahiut.

Shkarkimi
Ndonëse kishte dhënë dorëheqjen më parë, Kuvendi i Shqipërisë votoi më 1 mars shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kryetari i Komisionit hetimor Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se ndër çështjet kryesore që janë trajtuar në daljet dhe organizimet publike, e që i kanë dhënë ngjyrim të plotë politik veprimtarisë së z.Spahiu, është ajo e censusit. Me të padrejtë, e duke shtrembëruar atë çfarë ligji parashikonte në të vërtetë, ai u mundua që ta paraqiste atë si një proces, i cili kishte të bënte thjesht dhe vetëm me regjistrimin e popullsisë.

Kontrolli
Gjatë punës 5-javore të Komisionit hetimor Parlamentar ndaj Kreshnik Spahiut, prej tij u kërkuan nga deputetët një sërë dokumentesh nga KLD-ja. Kreshnik Spahiu deklaroi në media se nuk mund të dorëzonte asnjë dokument, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte zbarkuar për kontroll duke bllokuar gjithë dokumentet në fjalë. Në një nga seancat e para të Komisionit hetimor, u thirr edhe ish-nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili pas debateve me anëtarët e Komisionit vendosi të largohej nga mbledhja me argumentin se nuk ishte lejuar të fliste dhe të jepte parashtrimet e tij.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›