E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për shërbimet ajrore! Kurti: Mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore për 15 minuta

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar këtë të premte (14 prill) marrëveshjen për shërbimet ajrore mes dy vendeve, e cila do të mundësojë shkurtimin e rrugëve ajrore për 15 minuta. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Albin Kurti u shpreh se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

“E rëndësisë së veçantë sot, natyrisht është nënshkrimi i marrëveshjes për shërbime ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ky është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Kjo marrëveshje mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore për 15 minuta”, tha Kurti.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij nga popullit malazez, të cilët gjatë luftës së Kosovës, ndihmuan në strehimin e shumë refugjatëve kosovarë.

“Pata kënaqësinë të mirëpres në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, së bashku me delegacionit e tij, me të cilin biseduam për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy shteteve tona. Mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimit në infrastrukturë të përbashkët, hap mundësitë e zhvillimit të dy vendeve tona ishin në fokus të këtij bashkëbisedimi.

Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës që në vitin 2008.

Jemi mirënjohës që në kohëra më të vështira, Mali i Zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës që u dëbuan nga fushata e gjenocidit dhe spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviçit.

Qytete të shumta i hapën dyert dhe zemrat, duke i strehuar refugjatët nga Kosova.

Sot qytetarët e Kosovës janë jo vetëm pushues në bregdetin e Malit të Zi, por janë edhe investitorë të rëndësishëm, të cilët i kontribuojnë ndërlidhjes ekonomike mes dy vendeve tona. Kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi”, tha Kurti.

Ai shtoi se marrëveshja mundëson që korridoret ekzistuese ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, që deri më tani janë shfrytëzuar për fluturime ushtarake të NATO-s, të përdoren edhe për aviacionin civil.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›