E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Kosova do të bashkëfinancojnë projekte të përbashkëta të kërkimit shkencor

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të premten në Prishtinë programin e bashkëfinancimit për projekte të përbashkëta të kërkimit shkencor. 
Programi i bashkëfinancimit u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci.

Në fjalën e saj Ministrja Evis Kushi nënvizoi se vitet e fundit bashkëpunimet mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e Arsimit janë intensifikuar shumë, në raport me vitet e kaluara.

“Kemi vendosur që të financojmë deri në 16 projekte të përbashkëta të studiuesve tanë, të universiteteve tona dhe buxheti për secilin prej këtyre projekteve shkon në një vlerë maksimale prej 20 mijë euro” tha zonja Kushi.

Fushat prioritare janë Bujqësia, Siguria Ushqimore, Mjedisi, Ndryshimet Klimaterike, Studimet Albanologjike dhe Trashëgimia Kulturore, e shumë fusha të tjera. 

Ministrja shprehu besimin se këto projekte do të ndihmojnë për t’i dhënë një zë të fuqishëm kërkuesve dhe studiuesve shqiptare në përgjigje të problematikave që shqetësojnë shoqërinë. Ato do të jetë një mundësi shumë e mirë për të intensifikuar bashkëpunimin mes kërkuesve, shkencëtarëve shqiptarë, universiteteve apo edhe qendrave kërkimore shkencore.  Sipas Ministres Kushi, bashkëpunimi i kërkuesve dhe universiteteve të dy vendeve është prioriteti absolut. 

Së shpejti dy vendet do të organizojnë seminarin e Gjuhës Shqipe në Diasporë i cili do të zhvillohet në Vlorë. Në të do të marrin pjesë mësues nga diaspora ku mësohet gjuha shqipe në diasporë. 

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›