E Martë, 3 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja me BEI-n për financimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe drejtori i departamentit të Zgjerimit dhe Fqinjësisë i BEI Globale, Lionel Rapaille nënshkruan sot në Tiranë, marrëveshjen për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, një arterie kyçe që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin europian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e vendit tonë si një nyje lidhëse në rajon.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të përfaqësueses së lartë për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë dhe zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap tjetër i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës tonë.

Paketa financiare e BE-së për rindërtimin e seksionit hekurudhor Durrës–Rrogozhinë kap vlerën 90,5 euro.

Fondet e BE-së përbëhen nga një grant prej 60,5 milionë eurosh, në kuadër të KIBP dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga BEI Globale.

Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë qendrore, e cila shtrihet në Korridorin VIII multimodal që lidh portet e Italisë jugore, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim tregues i rrjetit TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro, e bashkëfinancuar me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Projekti do të mundësojë transport më efikas, të qëndrueshëm dhe më të sigurt të pasagjerëve dhe mallrave, duke kontribuar në rritjen socio-ekonomike dhe integrimin rajonal.

/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›