Nënshkruhet marrëveshja për jetësimin e Muzeut “Besa” në Tiranë

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja nënshkroi marrëveshjen me Fondacionit Kulturor “Besa”, për jetësimin e Muzeut “Besa” në Tiranë.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Samitit IV të Diasporës. Ministri Gonxhja tha se, ky është një projekt që synon të evokojë dhe të përcjellë përmes një muzealizimi dhe interpretimi të specializuar një nga kapitujt më domethënës të historisë dhe identitetit tonë.
Muzeu “Besa” do të sjellë në vëmendje historitë e familjeve shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botërore strehuan dhe shpëtuan hebrenjtë, dhe jo vetëm, duke mishëruar vlerat e Besës Shqiptare: besnikërinë, mikpritjen, nderin dhe traditën e shenjtë të “shtëpisë që i takon Zotit dhe mikut”.
“Hedhim një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të këtij projekti, i cili pritet të realizohet brenda 36 muajve”, u shpreh kreu i MTKS-së.
Tashmë i hapet rruga investimit, tërësisht me fonde nga donacionet e filantropia.
Ministri e cilësoi këtë projekt si “një vepër me rëndësi të veçantë për turizmin historik e kulturor, që do të jetë një diamant i kujtesës kolektive dhe i reflektimit shpirtëror në zemrën e Tiranës, krenari e frymëzim për brezat dhe njerëzimin, rrëfyer për vizitorët e ndërkombëtarizuar si një trashëgimi natyrale e një brandi unikal shqiptar”.
Marreveshja me Fondacionin Besa. Fotot nga Florian Abazaj 1 nga 5