E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet marrëveshja për konvertimin e borxhit me Italinë

Ministri i Financave Bode, duke bërë të ditur detaje të marrëveshjes, tha se shërbimi i borxhit (principal + interes) deri ne shumën 20 milionë euro, për disa kredi të akorduara nga qeveria italiane, nuk do t’i paguhen kësaj të fundit por do të depozitohen në një llogari Fondi Kundërparti (CPF).

Referuar marrëveshjes, pagesat në këtë fond do të bëhen në 11 këste. Secili këst konvertohet në lek, sipas kursit të këmbimit kuotuar nga Banka e Shqipërisë në datën e depozitimit të këstit. Kësti i parë që do të ketë vlerën 500 000 euro, do të depozitohet në CPF brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Dhjetë këstet e tjera pasuese gjysmë-vjetore, secili me vlerën prej 1.95 milionë euro, do të depozitohen më çdo 31 tetor dhe 30 prill të viteve në vijim. Fondi i grumbulluar në këtë mënyrë do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga të dy palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe punësimit.

Për realizimin e këtij programi në mbështetje të politikave të zhvillimit social, do të funksionojë një Komitet i përbashkët Menaxherial, i cili do të përbëhet nga ministri i Financave ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga përfaqësuesit e Departamentit të Strategjisë dhe Bashkërendimit të Donatorëve pranë Këshillit të Ministrave dhe Ministri të tjera përkatëse; ambasadori italian në Shqipëri ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga anëtarët e Zyrës Italiane të Bashkëpunimit.

Të pranishëm në firmosjen e kësaj marrëveshjeje ishin edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i Shëndetësisë, Petrit Vasili si dhe Kryetari i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim i Ambasadës Italiane, Aldo Siçinjano.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-08-24 12:51
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›