E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja për parqet eko-industriale, Gonzato: Shqipëria përfiton 1 mld euro nga reformat dhe investimet

Nënshkruhet marrëveshja për zhvillimin e parqeve eko-industriale. Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato gjatë fjalës së tij në konferencën për medie, deklaroi se ky projekt synon të mbështesë dekarbonizimin e ekonomisë, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm.

“Kjo marrëveshje hap rrugën për zhvillimin e parqeve eko-industriale që do ndihmojnë industritë të përshtaten me rregulloret e reja evropiane, të përmirësojnë konkurrueshmërinë në treg dhe të ulin ndikimin mjedisor të prodhimit,” u shpreh Gonzato.

Ai theksoi gjithashtu se rreth 60% e eksporteve nga rajoni shkojnë në tregun e Bashkimit Evropian, çka e bën përmbushjen e standardeve evropiane të domosdoshme për rritjen ekonomike dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare.

Sipas tij, Shqipëria ka potencialin të përfitojë deri në 1 miliard euro nga fondet e BE-së, në varësi të ritmit të reformave dhe angazhimit në tranzicionin e gjelbër dhe digjital.

Parqet eko-industriale pritet të jenë element kyç në tërheqjen e investimeve të reja, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e qëndrueshme të sektorit privat.

“BE është e gatshme të ndihmojë edhe për flukset e kapitaleve, për të nxitur investimet dhe zhvillimin në Shqipëri dhe në rajon,” theksoi ambasadori Gonzato.

Nisma për zhvillimin e këtyre parqeve është pjesë e përpjekjeve më të gjera të BE për të dyfishuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor brenda dekadës, përmes bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik dhe përputhjes me standardet evropiane.

Marrëveshja është nënshkruar sot ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEK) dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), me qëllim zhvillimin e parqeve eko-industriale në Shqipëri. Iniciativa mbështetet fuqishëm nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor 2021–2027.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›