Mbështetje për SME-të, 30 mln euro nga programi Italo-Shqiptar për këto sipërmarrje

Sipërmarrësit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kanë mundësi për rritjen e kapaciteteve të tyre me ndihmën financiare që jep programi italo-shqiptar në vendin tonë.
Synohet që, me anë të këtij fondi prej 30.7 milionë eurosh, të krijohet një ambient i favorshëm për lehtësimin e qasjes në kreditin bankar, për të përmirësuar teknologjinë dhe për të rritur konkurrueshmërinë nëpërmjet inovacionit teknologjik dhe përmirësimit të standardeve të prodhimit.
“Programi është i orientuar drejt sipërmarrjeve me impakt të lartë shoqëror dhe ekonomik në vend, duke mbështetur gratë sipërmarrëse, projekte që hapin vende të reja pune, prodhimin e energjisë së pastër dhe biznese që rikthehen nga emigracioni me ide dhe energji të reja për të investuar në Shqipëri”, tha zëvendësministrja, Blerta Rama.
“Në vetëdijesimin dhe përgatitjen e kapitalit njerëzor, që për mua është arma më e rëndësishme për çdo sipërmarrje private. Është shumë e rëndësishme që trekëndëshi i një kompanie me objektivat e qarta që kemi, të ndërtohet me teknologji, kapital njerëzor dhe politika të duhura të zhvillimit ekonomik nga ana e qeverisë, për të qenë të mbështetura në një formë të tillë që të garantojnë sukses për çdo sipërmarrje shqiptare”, tha Jakaj.
Drejtoresha e programit theksoi se tashmë duhet t’i jepet më shumë përparësi sipërmarrjes së vogël dhe të mesme në qarqet e tjera të vendit, pasi, siç tha ajo, Tirana është tashmë një metropol europian. Ky program mbështet tre komponentë të rëndësishëm: linjë kredie, fond garancie dhe asistencë teknike.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/