Nëntë të arrestuar për shpërndarje lënde narkotike në afërsi të shkollave në Kavajë, Lamallari: “Smart City” do të ridimensionojë sigurinë

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në lidhje me finalizimin e operacionit “Cleaning 4” në Kavajë, ku u arrestuan 9 persona të cilët shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave.
Ministri thekson se shkollat duhet të jenë zona sigurie absolute, jo territore ku krimi mund të depërtojë.
“Arrestimi i 9 personave, që shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave është një mesazh i qartë për këdo që tenton të cenojë sigurinë e fëmijëve tanë”, nënvizoi Lamallari.
Sipas tij, me zbatimin e projektit “Smart City”, “do të ridimensionojmë tërësisht sigurinë në shkolla dhe në hapësirat publike përreth tyre”.
Lamallari shtoi se teknologjia, monitorimi inteligjent dhe reagimi në kohë reale do ta bëjnë shumë më të fortë goditjen ndaj çdo aktiviteti kriminal që prek të rinjtë dhe jo vetëm.
Një ditë më parë në kuadër të operacionit “Cleaning 4” u arrestuan 9 persona të moshave 20-48 vjeç, të gjithë banues në Kavajë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave të qytetit të Kavajës.
/m.q/j.p/r.e/