Nëntë vitet e pritjes së Kosovës
Duke i shfrytëzuar vatrat e krizave në Irak, Afganistan dhe Kore Veriore, Rusia dhe Serbia arritën ta zgjasin definimin e statusit politik të Kosovës për tetë vjet më radhë. Këto dy shtete sllave ende me logjikën hegjemoniste arritën të bëhen bukur shumë faktorë në vendimmarrje. Qeveria ruse iu kishte drejtuar më një demarsh presidencës së BE-së, duke mos u pajtuar për asnjë vendim për Kosovën , që nuk do të jetë i pranueshem edhe për Beogradin. Rusia arriti edhe t'i pengojë disa rezoluta në KS të OKB-së për Kosovën. Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviqi, i trimëruar nga demarshi rus kishte deklaruar se pavarësia e Kosovës, sipas tij, do ta dridhte Ballkanin, dhe se gjoja do të bëhej presedan për vatrat e tjera të krizave në botë. Rusia, me çështjen e Kosovës, edhe arriti që ta kthejë deri diku ndikimin e humbur në arenën ndërkombëtare. Sipas kreut qeveritar rus, pavarësia e Kosovës gjoja do të krijonte precedent në të drejtën ndërkombëtare, duke vënë paralele kështu me Abkhazinë dhe Osetinë Jugore. Në asnjë mënyrë nuk mund të vihet një paralele e tillë me Kosovën. Këtë gjë e potencuan edhe shumë burrshtetas të Evropës dhe Amerikës mike. Ekzistojnë shumë fakte përse nuk mund të bëhet një krahasim i tillë. Kosova ishte ndarë padrejtësisht nga shteti amë, duke iu aneksuar me dhunë Serbisë në Londër me 1913, ku më se gjysma e trojeve shqiptare patën mbetur jashtë asaj që u shpall Shqipëri e pavarur. Shqiptarët, si popull, janë me gjuhë dhe kulturë krejt tjetër në krahasim me serbët. Shqiptarët në këto troje janë popull autokton, e cila gjë nuk vlen edhe për serbët. Ekzistojnë edhe shumë fakte të tjera gjeopolitike që flasin në favor të pavarësisë së Kosovës. Kosova është vendi i vetëm që mbulohet nga OKB-ja. Pastaj, me dëbimin e forcave të Millosheviqit nga Kosova në vitin 1999, ku serbët humben luftën u krijua realiteti ri, i cili duhet të respektohet edhe nga Rusia si anëtare e grupi të kontaktit. Ajo ende nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës, përkundër që i di mirë të gjitha këto fakte. Por Rusia e Putinit e shfrytëzoi mirë rastin e Kosovës për të intervenuar ushtarakisht në Gjeorgjinë si një vend sovran gjoja në mbrotje të minoriteti rus. Serbët të trimëruar nga rusët filluan me radikalizmin e kërkesave të tyre, duke kërkuar së pari edhe dorëheqjen e Marti Ahtisaarit nga funksioni i ndërmjetësit të OKB-së për Kosovën. Apetitet e Serbisë për ndarjen e Kosovës u rritën edhe për faktin së bashkësia ndërkombëtare nuk e dënoi ate për gjenocid më rastin e shkatërrimit të ish –Jugoslavisë . Serbia nuk i përmbushi pothuajse asnjë kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, përpos që bëri dorëzimin e disa kriminelëve të luftës, duke i realizuar interesat e veta. Në vend që Serbia të paguajë haraqin e një lufte që la pas me mijëra viktima dhe dëme të tjera materiale, siç e pagoi Gjermania në Luftën e Dytë Botërore, ajo u rehabilitua dhe u faktorizua. U aprovua kërkesa e saj në KS të OKB-së , dhe u votua që legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Absurd se jo mahi. Dhe, që ky absurditet të bëhet edhe më i madh, ishte miratimi i Planit gjashtëpikësh të Ban Ki Munit, sipas rezolutës 1244 edhe pse Kosova u shpall shtet jashtë kësaj rezolute.Edhe përkundër deklaratave të miqve tanë në botë se shtrirja e EULEX-it sipas gjashtëpikëshit nuk do të bëhet në dëm të pavarësisë, megjithatë lë mundësinë e hapur për bosnjëzimin e Kosovës. Edhe ashtu me Planin e Marti Ahtisarit minoritetit serb në Kosovë i sigurohen të drejta gati sa shqiptarëve si popull shtetformues që janë. Por, mbetet të shihet se si do të rrjedhin ngjarjet pas shtrirjjes së këtyre ditëve të EULEX-it. A do të veprojë ai strikt sipas rezolutës 1244, siç deklaroj i pari i kësaj strukture evropiane Iv De Kermabo, apo do të respektohet plani e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, siç kërkojnë udhëheqësit e Kosovës, mbetet të shihet. Edhe ashtu zvarritja e definimit të statusit politik deri më 17 shkurt të këtij viti, kur u bë zyrtarizimi i saj, bëri që Kosova të vonohet në inkuadrimin e saj në organizmat e ndryshëm të Evropës. Sikur statusi politik të ishte definuar menjëherë pas dëbimit të forcave fashiste të Milosheviqit nga Kosova, tash do të kishim një situatë krejt më ndryshe. Së pari, nuk do të kishim punë fare me Serbinë, përpos si fqinj që jemi. Se dyti, nuk do përballeshim me shkallën e tillë të kriminalitetit të organizuar, korrupsionin dhe me varfërinë e skajshme. Se treti, nuk do ta kishin shkallën enorme të të papunësuarve, ku sipas një raporti të vitit 2007 të publikuar të Bankës Qendrore të Kosovës, rreth 28 mijë të rinj çdo vit kërkojnë punë. Se katërti, që nëntë vjet do të thithnim shumë investime nga jashtë, dhe kredi të ndryshme nga Banka Botërore. Nëntë vjet vonim në definimin e statusit është kohë e gjatë për një vend të vogël siç është Kosova. Kjo zvarritje e statusit politik të vendit tërhoqi me vete paknaqësi të mëdha dhe krizën e moralit në mesin e shqiptarëve. Populli serb e bart fajin kolektiv për të gjithë zullumin mbi shqiptarët shekuj me radhë. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë më që vendi i tyre të ndahet edhe në pjesë të tjera. Ka mbaruar përgjithmonë koha e hegjemonizmit serb mbi shqiptarët. Të bëhet diç për qejfin e serbëve do të thotë të anashakosh gjakun e mbi 15 të vrarëve dhe të masakruarve në luftën e fundit, dhe dëbimin nga trojet dhe shtëpitë e tyre të mbi një milion shqiptarëve, do të thotë gjithashtu të harrosh edhe më se 2 mijë shqiptarë të zhdukur, të cilët gjenden diku në malet dhe fushat e Serbisë. E ardhmja e një kombi ndërtohet duke mos harruar të kaluarën, e kjo vlen sidomos për shqiptarët të cilët hoqën të zitë e ullirit nën okupimin afër 90 vjet me radhë nga regjimi i egër serbosllavë...
...