Politika rumune në turbullira, pas dorëheqjes së papritur të kryeministri të mandatuar
Kryeministri i ri i caktuar i Rumanisë Emil Bok, siguroi vendin të hënën vonë (15 dhjetor) se koalicioni qeverisës është ende në vend. Vendimi i papritur nga Theodor Stolojan për të dorëzuar propozimin e tij për postin e kryeministrit nuk do të prekte aleancën midis Partisë Liberal Demokratike (PDL) dhe Social Demokratëve (PSD), tha Bok. "Ne po shkojmë përpara me qeverinë PDL-PSD. Ne do të bëjmë punën tonë," tha Bok, i cili është kreu i PDL dhe shërben gjithashtu si kryebashkiak i Kluzh-Napoka, një nga qytetet më të mëdha të Rumanisë. Ai tha gjithashtu se do të mbledhë një grup konsultimi përbërë nga ekspertë prej Bankës Kombëtare të Rumanisë, Akademisë Rumune dhe shoqërisë civile që do të mbështesë atë gjatë termit të tij në detyrë. Stolojan tronditi vendin të hënën me njoftimin e tij se po dorëzonte mandatin për të kryesuar qeverinë e ardhëshme të Rumanisë. Për katër vitet e fundit, ai ka qenë konsideruar një kandidat i mundshëm për postin. Një politikan veteran që luajti një rol kryesor në tranzicionin nga komunizmi, Stolojan ishte parë gjerësisht si një nga zgjedhjet më të mira për drejtimin e vendit nëpër krizën globale ekonomike. "Nëpërmjet këtij gjesti, unë dua t'u jap shpresa brezave të rinj të politikanëve," spjegoi nënkryetari i PDL. Masa e tij, ndonse e papritur, nuk ishte e pashembullt. Në 2004, ai la garën presidenciale për t'i hapur udhë kreut të tanishëm të shtetit, Traian Bashesku. Gjatë një konference shtypi mbajtur pas njoftimit të Stolojan të hënën, presidenti u duk qartazi i shqetësuar nga zhvillimet duke pranuar se ai është "pak i trishtuar" nga tërheqja. Askush në PDL nuk matet me përvojën dhe besueshmërinë e Stolojan, tha Bashesku. Kreu Social Demokratik Mirçea Geoana tha se ishte i habitur nga masa. Vendimi, tha ai, vë pyetje në tryezë që duhen sqaruar në bisedimet e mëtejshme midis partnerëve të koalicionit. Ai shtoi, megjithatë se përparësia e lartë është të formohet qeveria. "Ne do t'i përmbahemi kalendarit të shpallur," tha Geoana. "Gjëja më e rëndësishme është t'i jepet Rumanisë një qeveri e qëndrueshme sa më parë të jetë e mundur". Ndërkohë, zërat në media po gëlojnë rreth arsyeve për masën e Stolojan. Disa analistë thonë si ai qe i pakënaqur që anëtarët e Partisë së tij të mëparshme Liberale Kombëtare (PNL) nuk do të kishin të njëjtin numër portofolesh kabineti si anëtarët e PDL. Stolojan e la PNL në 2006 për të formuar Partinë Liberale Demokratike e cila më pas u bashkua me Partinë Demokratike të Basheskut për të formuar PDL-në e tanishme. Ish-demokratët thuhet se kundërshtuan kërkesën e tij bazuar në atë që ata qenë që morën më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të 30 nëntorit. Të tjerë analistë sugjerojnë se ai ishte i pakënaqur me disa elemente të marrëveshjes së koalicionit dhe mënyrën se si qenë zgjedhur disa ministra, pa u konsultuar me të. Të gjitha burimet janë dakord se ai e mori vendimin natën e së të dielës pas një takimi të partive të koalicionit në të cilin krerët diskutuan shpërndarjen e ministrive.
...