E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tmerri që i vjen Edvinit nga dialogu

S’është e mundur që kryetari i Partisë Socialiste të ulet në një tryezë dialogu, në komisionin e Ligjeve apo në atë të reformës zgjedhore, pasi do të detyrohet të heqë dorë nga privilegjet që zotëron si trashëgimtar i Byrosë Komuniste, por edhe si uzurpator i përfaqësimit të së majtës. Dje ai e humbi qetësinë, pse iu kërkua të ulej në një tryezë konsultimesh që do të kërkojë të rregullojë përfaqësimin e partisë tjetër të së majtës, LSI-së

TIRANE - Partia Socialiste duhet të reflektojë mbi mundësinë e zgjerimit të konsensusit në lidhje me Kodin e Zgjedhor, duke i dhënë një mundësi Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, duke iu drejtuar dy partive opozitare në krizë PS dhe LSI, në mënyrë që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe arritjen e një përfundimi për sa i takon përfaqësimit në procesin zgjedhor   
“Kodi zgjedhor është në diskutim. Dua të jem fare i hapur dhe ftoj zotin Rama të dëshmojë sens kompromisi me forcën politike që ka 8 deri në 10 për qind të elektoratit. Nuk është në interesin e vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike. Këtë ftesë nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër përveçse për faktin se realitetet nuk duhen mohuar. Në vendime të rëndësishme, nëse injoron realitetin, të pëlqen apo jo, vendimi mbetet me probleme. Kur nuk i pëlqen, realitetet janë për t’u ndryshuar, por jo për t’u mohuar. Në këtë kontekst, uroj dhe dëshiroj të shqyrtohet mundësia e një hapësire edhe për atë forcë që, e ndrydhur nga fenomeni i ‘dushkut’ dhe për këtë duhet të jemi realistë, sepse nuk mund të themi ndryshe, ka përfaqësuar 8 apo 10 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2005 dhe në vitin 2007 ndoshta edhe më shumë, pasi ka qenë në koalicion”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit iu referua edhe grevës së urisë të zhvilluar disa javë më parë nga 10 deputetët e kuvendit, duke e konsideruar këtë si një lajm aspak të favorshëm për vendin.
“Kam qenë shumë i lënduar nga greva e urisë dhe këtë e them hapur. Pavarësisht se kundërshtarë, por për vendin, për Evropën e botën, sado që askush nuk e mbështeste vendimin për të hyrë në grevë urie, por faktikisht ishte e tillë, 10 deputetë në grevë urie ishte një lëndim dhe përbënte një lajm aspak të favorshëm për vendin. Normalisht një çështje e tillë nuk përbënte një objekt trajtimi, por jam i bindur se shpreh mendimin e mazhorancës në këtë rast, ku duhet të përpiqemi të korrigjojmë ndonjë gjë. Ne nuk dalim jashtë teorisë së gabimeve. Mundësia është për reflektim, prandaj të reflektojmë. Nuk kam asnjë qëllim tjetër, por vetëm përfshirjen. Ne kemi një konsensus me PS-në dhe këtë nuk e mohoj, por nëse e zgjerojmë më shumë do të ishte mirë për vendin”, u shpreh më tej kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›